Komuna e Prishtinës ka vendosur që edhe këtë fundjavë, të bëjë testimin e qarkullimit në trafik në rrugët e kryeqytetit, përkatësisht në unazën e brendshme të tij.
Kjo bëhet në përpjekje për të parë nëse diçka e tillë funksionon në mënyrë që të zhbllokohet trafiku i rënduar në kryeqytet.
Kështu, këtë të shtunë e të diel, nga ora 06:00 deri 23:40, vazhdon testimi i dytë i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet.
Qarkorja njëkahëshe gjatë kësaj fundjave do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve si në vazhdim:
Rruga “Agim Ramadani”që nga semaforët pranë Mensës së Studentëve e deri te rrethrrotullimi prapa ndërtesës së Komunës.
-Rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia.
– Rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE
– Rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore
– Rruga “Garibaldi” deri te semaforët pranë Grandit
Komuna deklaron se ashtu sic edhe është njoftuar më parë, po në këto data, këto rrugë do të jenë të mbyllura për automjete dhe do të shfrytëzohen për aktivitetet e parapara në “Festivalin e i Pranverës”.
– Rruga “George Bush” deri tek semaforët pranë Katedrales.
– Rruga “Garibardi” deri tek semaforët pranë rrugës”Dritan Hoxha”.
Komuna u bën thirrje qytetarëve të kenë durim përgjatë kësaj periudhe provuese të ndryshimit të qarkullimit me automjete, meqenëse qëllimi kryesor i testimit është zgjidhja afatgjate e lirimit të hapësirave të lëvizjes për këmbësorë sipas rekomandimeve të Task -Forcës rrugore, si dhe lirimi i mbingarkesës së trafikut rrugor./rtk/