Asambleja Komunale e Suharekës ka miratuar të premten Rregulloren për menaxhimin e mbeturinave, e cila parasheh edhe ngritjen e tarifës mujore në 7.5 euro.
Lajmi u bë i ditur nga kryeshefi ekzekutiv i KRM “Ekoregjioni” Sh.A, Burim Shala, i cili falënderoi institucionet komunale dhe asamblistët për mbështetjen dhe votimin e kësaj rregulloreje.
Shala shprehu mirënjohje për kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, komisionin komunal, kryesuesin e Kuvendit Komunal dhe anëtarët e Asamblesë Komunale, duke theksuar se vendimi është marrë në interes të qytetarëve dhe mbrojtjes së ambientit.
Sipas tij, miratimi i kësaj rregulloreje synon përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.
“Ky vendim është në të mirë të qytetarëve, që ta kemi një qytet dhe një komunë sa më të pastër, më të rregullt dhe me shërbime më cilësore për të gjithë”, ka deklaruar Shala.