Prokuroria Themelore në Prizren njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK) – Njësiti në Prizren, më datë 18.08.2025 ka arrestuar të pandehurin I.O., zyrtar i Agjencisë Pyjore të Kosovës.
“Ky arrestim është rezultat i masave të veçanta hetimore, të cilat Prokuroria Themelore në Prizren i ka aplikuar për një periudhë të caktuar kohore, duke siguruar prova të fuqishme dhe dëshmi të pakontestueshme. Nga hetimet dhe provat e grumbulluara është zbuluar se i dyshuari, duke keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, ka tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit personal, duke pranuar para nga qytetarë të ndryshëm dhe duke u premtuar ndërmjetësimin për rregullimin e dokumentacionit të nevojshëm për marrjen me qira të pronave nga Agjencia Pyjore e Kosovës”, thuhet në njoftim.





