Një ushtar i FSK-së nga Podujeva është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, nën dyshimet se ka ushtruar dhunë në familje.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se siç ndodh shumë shpesh, edhe këtë herë rasti është raportuar disa ditë pasi ka ndodhur. Dhuna që dyshohet se ka ushtruar pjesëtari i FSK-së u zbulua nga bashkëshortja e tij, e cila dje ia mësyu Policisë, për të denoncuar sulmin nga burri.
Bazuar në dëshminë e viktimës, të dhënë para hetuesve policorë ngjarja ka ndodhur më 18 tetor, ku për disa orë, i dyshuari ka sulmuar fizikisht bashkëshorten, duke i shkaktuar lëndime trupore nëpër pjesët e trupit. Ndonëse nuk dihet nëse viktima nuk e njoftoi Policinë nga frika apo ka ndonjë arsyetim tjetër, posa është raportuar rasti, Policia është vënë në lëvizje.





