Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se mëngjesin e së mërkurës është arrestuar M.D., shtetas serb, nën dyshimet për përfshirje në krime lufte kundër popullatës civile gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Zveçanit.
Arrestimi është kryer me urdhër të prokurores speciale Florije Salihu-Shamolli, pas një hetimi disa mujor, në bashkëpunim me hetuesit e Krimeve të Luftës.
Sipas Prokurorisë, M.D. dyshohet se në cilësinë e komandantit të Njësisë së Policisë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), ka marrë pjesë në vrasje, dëbime me forcë, plaçkitje, tortura dhe rrahje sistematike të civilëve shqiptarë.





