Një person është arrestuar sot nga policia në lagjen Kroi i Vitakut, në Mitrovicën e Veriut.
38 vjeçari, R.R dyshohet se kishte sulmuar zyrtarët policor dhe ata të KEDS-it derisa po vendosnin njehësoret e energjisë elektrike.
Lidhur me rastin për Klankosova.tv detaje ka dhënë Veton Elshani, zëvendësdrejtor i policisë në veri.
“Si pasojë e goditjes me mjet të fortë, njëri nga zyrtarët policor ka pranuar dhe tretman mjekësor. Të dyshuarit i cili është arrestuar i është bastisur shtëpia, ku dhe është gjetur sasi e konsiderueshme e mjeteve për prodhimin e kriptovalutave, të cilat janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminal doganor”, tha Elshani.
Elshani shtoi se gjatë bastisjeve në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur edhe konfiskuar shumë mjete për prodhimin e kriptovalutave.
“Mbi dyshime te bazuara dhe te arsyeshme njësitë policore kanë kryer bastisje në shtëpinë e personit ku kanë gjetur një sasi të konsiderueshme të mjeteve për prodhimin e kriptovalutave (RIGA) të cilat janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor”, thuhet në njoftimin e policisë”, theksoi ai.
“Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të rastit, ku pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit i dyshuari dërgohet ne mbajtje për 48 orë”, shtoi numri dy i policisë në veri njofton Klankosova.tv
Klankosova.tv merr vesh se i dyshuari bënte shpenzime enorme të energjisë elektrike, të cilën e shfrytëzonte për prodhimin e kriptovalutave.
Siç merr vesh Klani shpenzime mujore të tij shkonin deri në 6 mijë e 500 euro.