Një tjetër rast i shitjes dhe shpërndarjes së narkotikëve është zbuluar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Prizren, ku Policia ka arrestuar një person pas gjetjes së substancave narkotike të llojit marihuanë dhe hashash, si dhe mjete të tjera që dyshohet të jenë përdorur për veprimtari të paligjshme.
Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë të ditur se më 24 tetor 2025, rreth orës 02:00, patrulla policore ka ndaluar për kontroll një automjet të tipit Golf IV, që drejtohej nga S.K. rreth 31-vjeçar, ndërsa pasagjer ishte M.Ç.
Gjatë kontrollit të trupit dhe automjetit, policët kanë gjetur një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, ndërsa më pas, në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe disa qese të tjera me marihuanë dhe hashash.
I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor, ku ka deklaruar se posedon edhe sasi tjetër narkotikësh në shtëpinë e tij. Pas konsultimit me prokurorin kompetent, njësitë policore kanë shkuar në rrugën “Papa Gjon Pali II” në Prizren, ku gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuarit janë sekuestruar materiale të shumta.
Sipas informatave të Sinjalit, janë gjetur dhe sekuestruar këto prova materiale:
- Substancë narkotike e llojit Marihuanë, e ndarë në disa qese plastike me peshë 47.62 gramë;
- Substancë e llojit Hashash me peshë 3.06 gramë;
- Të holla 830 euro;
- Një automjet (veturë);
- Një telefon celular;
- Si dhe disa qese të zbrazëta për paketim të narkotikëve.
Me vendim të Prokurorit të Krimeve të Rënda, S.K. është ndaluar për 48 orë në Qendrën e Mbajtjes në Stacionin Policor Prizren, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Hetimet po zhvillohen nga njësia e DHTN – Prizren, në bashkëpunim me forenzikën dhe Prokurorinë e Shtetit, për të zbuluar nëse i arrestuari ka qenë pjesë e një rrjeti më të gjerë të shpërndarjes së drogës në Kosovë apo rajon./Sinjali
