Policia në Prizren ka njoftuar se sot, më datën 06.02.2025, Njësiti i Hetimeve të stacionit policor në Prizren, si rezultat i hetimeve intensive kanë arritur që të identifikojnë dhe arrestojnë dy persona të mitur, të dyshuarit: B.S dhe A.G.
Sipas njoftimit të policisë, arrestimi i tyre është bërë pasi që janë gjetur prova të mjaftueshme se të dyshuarit, më datën 03.02.2025, rreth orës 15:30, në rrugën ”Zara” në Prizren, kanë sulmuar një person të moshës 80 vjeçare.
“Me ketë rast personat e dyshuar pasi e kanë sulmuar viktimën fizikisht, ia kishin marrë portofolin ku në të kishte 100 euro si dhe dokumente personale te viktimës. Pas kësaj, të dyshuarit ishin larguar në drejtim të pa njohur. Viktima kishte pësuar lëndime trupore ku kishte marrë tretman mjekësor në emergjencën e spitalit rajonal në Prizren. Sektori i hetimeve, të dyshuarit i kanë sjellë në stacionin policor në Prizren dhe në prezencë të avokatëve, prindërve e punëtoreve social, janë intervistuar dhe i dyshuari B.S ka pranuar veprën penale. Lidhur me veprimet hetimore, është njoftuar prokurori kujdestar dhe i njëjti udhëzon që rasti të vazhdojë në procedurë të rregullt, ku do të dërgohet kallëzim penal për veprën penale ‘’Grabitje’’.”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.