Dy persona janë arrestuar të martën në Rahovec, nën dyshimin se kanë kryer keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për falsifikim të parasë. Rasti ka të bëjë me futjen në shërbim të postës së këtij qyteti të shtatë mijë eurove të falsifikuara.
Në njoftimin e Policisë, thuhet se dyshohet se mbi 2500 euro janë shpërndarë te qytetarët që kanë kryer shërbime në këtë postë, e të cilët janë mashtruar me këto veprime të të dyshuarve.
“Policia ka arrestuar dy të dyshuar, B.D., (viti i lindjes 1983, mashkull kosovar, menaxher në postën në Rahovec) dhe H.D., (viti i lindjes 1989, mashkull kosovar). Në postë janë gjetur dhe konfiskuar, nën dyshimin se janë të falsifikuara, shuma e monedhave prej: 1362 X 2 =2 724 €, 970 X 1= 970 €, 1480 X 0.50=740€, gjithsej 4434 €. Po ashtu, dyshohet se 2566 € janë shpërndarë tek qytetarë që kanë kryer shërbime në këtë postë e të cilët janë mashtruar me këto veprime të të dyshuarve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Pas intervistimit, dy të dyshuarit janë ndaluar në paraburgim për 48 orë.