Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se të hënën në mëngjes janë arrestuar dy persona, A.G. dhe R.Z., nën dyshimet për keqpërdorime në proceset e prokurimit publik.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari A.G., punonjës në ndërmarrjen publike “Eko-Regjioni” në Prizren, po hetohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, R.Z. dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”, nga neni 415, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të po këtij kodi.
Në kuadër të hetimeve, hetuesit policorë kanë realizuar bastisje në disa lokacione në Prizren dhe Ferizaj, përfshirë ambientet e ndërmarrjes publike “Eko-Regjioni”, si dhe objektet e një subjekti privat.





