22 persona janë arrestuar gjatë një operacioni policor të martën, me kërkesë të Prokurorisë Speciale për vepra që lidhen me trafikim të narkotikëve dhe krim kibernetik.
Policia dhe Prokuroria njoftuan se operacioni është kryer në rajonin e Prishtinës, Pejës, Prizrenit dhe të Gjilanit, derisa janë bastisur 47 lokacione.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar lëndë narkotike, 129 vetura, 134.900 para të gatshme, 20.040 franga, 490 dollarë, 13.000 para false, 9 orë dore, 36 armë të ndryshme, 1.569 fishekë, 1.292 copë municione, një prerëse për paketim të heroinës dhe kokainës, laptopë, telefona, usb dhe dokumente.
Po ashtu janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë të 500.000 eurove, e e edhe janë vënë nën urdhër ndalues pasuritë e paluajtshme të të pandehurve.
“Operacioni, i koduar ‘Qielli i Thyer’ u mbështet nga një shkëmbim efektiv i të dhënave me autoritetet e Belgjikës, Francës, Holandës dhe Europol-it, i cili ka siguruar koordinim ndërkombëtar policor, ndërsa u drejtua nga Prokurori i PSRK-së, i cili ishte i pranishëm gjatë realizimit të urdhër kontrollit. Ky operacion është rezultat i një hetimi të gjatë kundër grupeve të krimit të organizuar që janë marrë me trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, pastrimin e parave dhe formave të tjera të krimit të organizuar. Prokurorët e Prokurorisë Speciale, në koordinim të plotë me hetuesit policorë kanë qenë të përkushtuar në vazhdimësi për shkatërrimin e këtij grupi të organizuar kriminal”, thuhet në njoftimin e Policisë.