LAJME

Arrestimet në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, ky është vendimi i Gjykatës së Prizrenit për të pandehurit

Arrestimet në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, ky është vendimi i Gjykatës së Prizrenit për të pandehurit
TV Prizreni
TV Prizreni
8 Maj 2026, 08:59

Gjykata e Prizrenit ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj A.B., N.K., A.Q., B.Sh. dhe M.B., të arrestuar dje, më 06.05.2026, gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në Agjencinë Kadastrale të Kosovës nën dyshimin për përfshirje në disa vepra penale që lidhen me falsifikimin e dokumenteve dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndaj pesë të dyshuarve është caktuar masa e paraqitjes në stacionin policor.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj.

Në vendimin e Gjykatës, të siguruar nga KALLXO.com, përmes të cilit refuzohet kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, thuhet se Gjykata ka vlerësuar që të pandehurit nuk mund të ndikonin në prova materiale pasi që të njëjtat janë siguruar nga Prokuroria e po ashtu nuk është përmbushur elementi i përsëritjes së veprës penale apo dhe rreziku që të pandehurit do të mund të kryenin vepër tjetër penale.

“Andaj gjykata konsideron masën e paraqitjes në stacionin policor masë adekuate”- thuhet në këtë vendim.

Sipas njoftimit të Prokurorisë të lëshuar dje më 06.05.2026 pesë personat dyshoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale  – keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, – falsifikimi i dokumentit, dhe – legalizimi i përmbajtjes së rreme.

Prokuroria ka bërë të ditur se dy nga të dyshuarit kanë përdorur një kontratë të falsifikuar të vitit 1966 për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme një pronë.

Në këtë rast, një zyrtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë dyshohet se ka krijuar dokumente fiktive me qëllim të mundësimit të legalizimit të pronës, ndërsa dy zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke aprovuar regjistrimin e saj në mënyrë të paligjshme.

Ky dokument, sipas hetimeve, është paraqitur në mënyrë të rreme si dëshmi për një këmbim pronash që pretendohet të ketë ndodhur në vitin 1966, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror.

Hetimet tregojnë se me ndihmën e një personi zyrtar me inicialet A.B., dokumenti i falsifikuar është paraqitur si autentik dhe është përfshirë në arkivat e Gjykatës, ndonëse një dokument i tillë nuk figuron në evidencat zyrtare.

I dyshuari A.B., në cilësinë e zyrtarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dyshohet se ka krijuar dosje fiktive dhe ka mundësuar legalizimin e dokumentit të falsifikuar, me qëllim përfitimi për vete dhe për persona të tjerë.

Ndërkohë, sipas së njëjtës prokurori, dy persona të tjerë, B.Sh. dhe M.B., zyrtarë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke aprovuar në mënyrë të kundërligjshme një ankesë të paraqitur nga i pandehuri N.K., duke obliguar Komunën e Prishtinës që prona të regjistrohej në emër të tij./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika