LAJME

Arifi: Serbia po përpiqet ta ndryshojë demografinë në komunat me shumicë shqiptare

Arifi: Serbia po përpiqet ta ndryshojë demografinë në komunat me shumicë shqiptare
TV Prizreni
TV Prizreni
11 Dhjetor 2021, 17:44

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ka shprehur shqetësimin për përpjekjet e Serbisë për të ndryshuar demografinë në komunat me shumicë shqiptare.

Në një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Arifi ka thënë se ligji për shlyerje të qytetarëve nga regjistri civil nëse s’banojnë në adresat e paraqitura po bëhet në mënyrë selektive dhe nga kjo më së shumti pësojnë shqiptarët.

“Për ne ky veprim i politikës serbe paraqet tendencë për ndryshimin demografik të komunave me shumicë shqiptare”, ka thënë Arifi, sipas komunikatës së Qeverisë.

Sipas njoftimit, Arifi është shprehur i kënaqur që Kosova ka ndarë dy milionë euro për Luginën e Preshevës, ndërsa ka shtuar se kjo shumë duhet të rritet vit pas viti.

Arifi theksoi edhe problemin e mosnjohjes nga Serbia të diplomave të Kosovës, që po e pamundëson punësimin e të diplomuarve dhe po nxit migrimin e profesionistëve në vendet perëndimore.

Ndërkaq, Kurti ka thënë se në takimet në Bruksel dhe në konferencat ndërkombëtare vazhdimisht e rithekson se duhet të ketë reciprocitet të të drejtave të minoriteteve në shtetet e rajonit për të pasur paqe, siguri e satbilitet afatgjatë.

“Kryeministri theksoi se Qeveria e Kosovës do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim dhe për të ndihmuar banorët shqiptarë, dhe kërkoi nga liderët shqiptarë që t’i koordinojnë dhe t’i bashkërendojnë veprimet politike.”, thuhet në njoftim.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika