Ardian Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kandidat për kryetar të Komunës së Suharekës, ka paraqitur një platformë që, sipas tij, ofron një alternativë të qartë ndaj qeverisjes aktuale.
I njohur si një mjek kardiolog me karrierë të gjatë, Shala vjen me vizionin për të ndërtuar një administratë transparente, zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe shërbime më të mira për qytetarët.
“Kam ndjerë gjithmonë lidhje të fortë me qytetarët, përmes profesionit si mjek. Tani është koha që këtë përvojë dhe përkushtim ta sjell edhe në qeverisje, me një model të ri – të ndershëm, profesional dhe në shërbim të të gjithëve”, tha Shala në një intervistë për Telegrafin.
Shala ka kritikuar ashpër administratën aktuale komunale, duke e cilësuar si të ngarkuar me afera korruptive dhe dështime në shërbime bazë.
“Është hera e parë në nivel nacional që një numër i drejtorëve komunalë janë përballur me gjykatat dhe kanë pranuar fajësinë. Kjo tregon për një qeverisje të dështuar dhe jo në shërbim të qytetarëve”, thekson ai.
Një ndër çështjet që ai e sheh si alarmante është mungesa e ujit të pijshëm në disa zona të komunës.
“Në shekullin XXI, është e pafalshme që mbi 30 për qind e popullatës të mos ketë qasje në ujë të pijshëm. Edhe në vetë qytetin e Suharekës, ka lagje ku mbi 300 familje përballen me mungesë të ujit gjatë gjithë vitit. Kjo është pasojë e keqmenaxhimit”, shtoi ai.