Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se opozita në Kosovë dëshiron ta shohë kryeministrin Albin Kurti të japë dorëheqje, porse thotë se “kjo ëndërr nuk do t’u realizohet”.
Arbër Rexhaj ka thënë po ashtu nuk do të themelohet as Asociacion me kompetenca ekzekutive.
“Unë e kuptoj një gjë. Përnjëmend opozita e ka ëndërr ta shohë kryeministrin duke dhënë dorëheqje. Pash disa fake news nëpër portale, që kishte edhe deklarime publike të analistëve, ku thuhej se kryeministri Kurti nesër po përgatit dorëheqjen.
Kurti e udhëheq vendin deri fund të mandatit, për këtë ju garantoj. Te opozita e kanë ëndërr, këtë ta pranojmë, që të themelohet Asociacionin me kompetenca ekzekutive, e të thonë edhe Lëvizja Vetëvendosje është si ne.
Nuk do të ndodhë. Në këtë kuptim, ëndrrat e tyre nuk mund t’i realizojmë. E vërteta është kjo. Kryeministri e udhëheq vendin, e ka shumicën plebishitare prapa, dhe do ta drejtojë dialogun.
Besojmë se ai nuk do t’i thyejë konceptet mbi të cilat e ka ndërtuar Lëvizjen Vetëvendosje ne mbi të cilat po vazhdon me ndërtu e shty përpara Kosovën, në këtë rast edhe në fushën e dialogut”, tha Rexhaj në “Konfront” të KTV-së.