Disa vende tashmë kanë filluar evakuimin e shtetasve të tyre nga Izraeli dhe Irani – nga ajri, toka dhe deti – ndërsa konflikti po vazhdon midis rivalëve të përbetuar.
Dhe sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një grup prej 89 bullgarësh u evakuua nga Izraeli me aeroplan në Sofje, së bashku me 59 shtetas nga Sllovenia, SHBA-ja, Belgjika, Shqipëria, Kosova dhe Rumania.
Siç shkruan Associated Press, ata u nisën nga qyteti egjiptian Sharm el-Sheikh, ku ishin transferuar me autobus përtej kufirit nga Izraeli
Kujtojmë se ditë të tëra sulmesh dhe hakmarrjesh nga dy armiqtë kanë ndikuar në mbylljen e hapësirës ajrore në të gjithë Lindjen e Mesme, duke ndërprerë fluturimet tregtare dhe duke i lënë njerëzit në pamundësi të hyjnë ose të dalin lehtësisht nga rajoni.
Andaj, disa qeveri po përdorin kufijtë tokësorë për të nxjerrë shtetasit e tyre nga rruga drejt vendeve ku aeroportet mbeten të hapura.
Kështu, mijëra të huaj janë larguar që nga fillimi i konfliktit javën e kaluar kur Izraeli nisi sulme të papritura me raketa ndaj Iranit.
Në këtë drejtim, ndër tjerash, Bullgaria ka zhvendosur të gjithë diplomatët e saj nga Teherani në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, tha të enjten kryeministri i vendit ballkanik.
“Ne nuk po e mbyllim ambasadën, por po e zhvendosim atë në Baku derisa të kalojë rreziku”, citohet të ketë thënë kryeministri Rosen Zhelyazkov.
Ndërkohë, thuhet se Bashkimi Evropian ka ndihmuar në evakuimin e rreth 400 personave nga Izraeli përmes Jordanisë dhe Egjiptit, si pjesë e përpjekjeve të tij për të koordinuar një reagim emergjent brenda bllokut prej 27 vendesh.
“Shtetet anëtare koordinojnë listën dhe ne bashkëfinancojmë këto fluturime deri në 75% të kostove të transportit”, ka thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Eva Hrncirova, në një konferencë të rregullt për shtyp në Bruksel të mërkurën. /Telegrafi