Është anuluar Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që planifikohej të mbahej në datë 4 dhe 5 dhjetor në Bosnjë dhe Hercegovinë. Kjo ka ndodhur pasi, ministrat nga ‘Republika Srpska’ kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në këtë samit.Zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha për RTK-në se samiti tashmë është anuluar për shkak të disa probleme, të cilat tha se i ka bërë të njohura organizatori.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës udhëton sot nga Brukseli për në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ky udhëtim i kryeministrit në Bosnje dhe Hercegovinë ishte paraparë të ndodhte në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që planifikohej të mbahej në datë 4 dhe 5 dhjetor në Neum. Për shkak disa problemeve të cilat tashmë i ka bërë të njohura organizatori, ky samiti është anuluar”, ka theksuar ai.Por, Kryeziu ka thënë se kryeministri Kurti do të bëjë disa takime në Sarajevë.





