Anulimi i 12 fluturimeve në ardhje në Aeroportin e Prishtinës erdhi për shkak të pilotëve që nuk ishin të certifikuar për përdorimin e sistemit të avancuar të aterrimit në kushte mjegulle…
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se anulimi i fluturimeve në ardhje në Aeroportin e Prishtinës ka ndodhur për shkak të faktit se pilotët e atyre aeroplanëve nuk kanë qenë të certifikuar për përdorimin e sistemit të avancuar të aterrimit ILS CAT IIIb.
Përmes një postimi në Facebook, Aliu theksoi se të gjithë avionët me pilotë të certifikuar për këtë sistem kanë aterruar me sukses.
Ai shtoi se Aeroporti i Prishtinës është në shërbim të vazhdueshëm, pasi disponon dhe ka funksional sistemin ILS CAT IIIb, që mundëson aterrime në kushte të mjegullës së dendur, deri në dukshmëri minimale prej 50 metrash.
“Aeroporti i Prishtinës është në shërbim gjatë tërë kohës, pasi ka të instaluar dhe funksional sistemin e avancuar të aterrimit ILS CAT IIIb, i cili mundëson aterrime edhe në kushte të mjegullës së dendur, deri në dukshmëri minimale prej 50 metrash. Fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij sistemi kanë aterruar me sukses, ndërsa ato fluturime pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar”, ka shkruar Aliu në rrjetin social Facebook.
Sipas tij, 46 fluturime janë realizuar me sukses, ndërsa 12 fluturime në ardhje janë anuluar për shkak të mungesës së certifikimit të pilotëve.