LAJME

Anketa e EC Ma Ndryshe: Qytetarët e Prizrenit kërkojnë më shumë transparencë, konsultim dhe mbështetje nga komuna

Anketa e EC Ma Ndryshe: Qytetarët e Prizrenit kërkojnë më shumë transparencë, konsultim dhe mbështetje nga komuna
TV Prizreni
TV Prizreni
17 Korrik 2026, 12:12

Një hulumtim i realizuar nga organizata EC Ma Ndryshe nxjerr në pah se qytetarët e Komunës së Prizrenit vazhdojnë të ndihen pak të informuar për proceset e konsultimit publik dhe presin një angazhim më të madh të institucioneve komunale në rritjen e transparencës dhe adresimin e nevojave të tyre.

Sipas rezultateve të anketës, mbi 67 për qind e qytetarëve deklarojnë se nuk janë të informuar për platformat online të konsultimit publik, ndërsa vetëm rreth 32 për qind janë në dijeni të ekzistencës së tyre. Këto të dhëna tregojnë se mekanizmat e pjesëmarrjes qytetare nuk po arrijnë të promovohen në mënyrë efektive, duke kufizuar përfshirjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse.

Hulumtimi evidenton gjithashtu një nivel të ulët besimi se opinionet e qytetarëve ndikojnë në vendimet komunale. Rreth 61.9 për qind e të anketuarve vlerësojnë se komentet e tyre merren pak parasysh, 23.7 për qind besojnë se ato nuk merren fare në konsideratë, ndërsa vetëm 14.4 për qind mendojnë se komentet e qytetarëve kanë ndikim të madh në vendimmarrje.

Megjithatë, shumica e qytetarëve e konsiderojnë ndikimin e vendimeve komunale të rëndësishëm për jetën e tyre të përditshme. Gjashtë në dhjetë të anketuar (60 për qind) thonë se këto vendime kanë ndikim të madh, 34 për qind ndikim të vogël, ndërsa vetëm 6 për qind vlerësojnë se ato nuk ndikojnë fare në jetën e tyre.

Një nga gjetjet më domethënëse të anketës është pritshmëria e lartë ndaj institucioneve lokale. Plot 99 për qind e qytetarëve të anketuar shprehen se Komuna e Prizrenit duhet të ofrojë më shumë mbështetje për qytetarët, duke reflektuar kërkesën për një rol më aktiv të pushtetit lokal në zgjidhjen e problemeve të komunitetit.

Sa i përket informimit për konsultimet publike, 78.3 për qind e qytetarëve deklarojnë se nuk kanë qenë të informuar për këto procese, ndërsa vetëm 21.7 për qind kanë pasur informacion. Burimet kryesore të informimit mbeten njoftimet publike, rrjetet sociale dhe mediat. Sipas anketës, 61.8 për qind e qytetarëve informohen përmes njoftimeve publike, 60.3 për qind përmes rrjeteve sociale, 33.8 për qind përmes mediave dhe 20.6 për qind përmes organizatave lokale.

Edhe perceptimi për transparencën institucionale mbetet i rezervuar. Sipas të dhënave, 69.3 për qind e qytetarëve i konsiderojnë institucionet komunale si pjesërisht transparente, 16.3 për qind i shohin ato si të mbyllura, ndërsa vetëm 14.3 për qind vlerësojnë se komuna është shumë e hapur dhe transparente.

EC Ma Ndryshe vlerëson se këto gjetje nënvizojnë nevojën për forcimin e transparencës institucionale, përmirësimin e komunikimit me qytetarët dhe funksionalizimin e mekanizmave të konsultimit publik. Sipas organizatës, rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje mbetet një element kyç për zhvillimin e një qeverisjeje demokratike dhe hartimin e politikave që u përgjigjen nevojave reale të komunitetit.

Ky hulumtim është realizuar në kuadër të projektit “Public Spaces 4 All”, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe me mbështetjen e Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Sekretariatit Shtetëror të Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika