Njohësit e çështjeve të sigurisë po e vlerësojnë shumë pozitive formimin e Grupit punues për anëtarësimin e Kosovës në NATO, sado që janë skeptik që kjo do të ndodhë së shpejti.
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, vlerësojnë se nisma e tillë është pozitive dhe se duhet të shfrytëzohet momentumi i krijuar pas luftës në Ukrainë.
Ibishi tha për Telegrafin se në këtë grup punues do të ishte mirë të përfshiheshin edhe opozita dhe profesionistë të fushës.
“Përkundër sfidave me të cilat mund të ballafaqohemi gjatë procesit të anëtarësimit, është shumë e mirë ideja e formimit të një grupi të punës. Ky grup i punës është ndërinstitucional, mirëpo fatkeqësisht tek ne nuk ka një përfshirje që është interes i përbashkët për anëtarësim ku do të mund të përfshiheshin edhe opozita, edhe grupet e interesit, ekspertë që japin kontributin”, tha Ibishi.
Sipas Ibishit, iniciativa të tilla janë të nevojshme në këtë kohë, duke marrë parasysh edhe avancimin e madh të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Mendoj që gjithsesi duhet të ketë iniciativa të tilla, që të shfrytëzohet momentumi i krijuar përkundër sfidave të shumta në rend të parë për shkak që FSK-ja ka bërë një avancim të madh në përfshirje edhe në misione paqësore. Janë vlerësuar nga ekipet mbikëqyrëse nga NATO dhe SHBA”, theksoi Ibishi.
Ibishi po ashtu tha se: “Nëse merren këto pranimet e fundit, sidomos në NATO tregojnë që asnjë prej tyre (shteteve të pranuara) nuk i kanë plotësuar kriteret në mënyrë të plotë ashtu si parashihet me kriteret që janë strikte në pranim”.
“Mendoj që kërkesa duhet bërë, mirëpo në grup duhet të ketë një përfshirje më të madhe. Më shumë kanë njohuri ekspertët e fushës, sesa ata që janë në institucione shpesh. Por, pse jo edhe opozita të jetë e kyçur”, tha Ibishi.
Po ashtu, Ibishi ka kërkuar që sa më shpejt të ketë një kërkesë zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme për anëtarësim në NATO.
“Ministrja e Punëve të Jashtme, zonja Gërvalla duhet të bëj menjëherë kërkesën zyrtare për anëtarësim, të mos mbetet kjo vetëm një konsulentë e Qeverisë dhe të shkojë pa fund ashtu. Të bëhet vlerësimi paraprak, të bëhet kërkesa e të dërgohet”, theksoi njohësi i sigurisë, Ibishi.
Ibishi theksoi se momenti i krijuar, duhet të shfrytëzohet maksimalisht nga Kosova.
“Kjo njëkohësisht ka të bëj edhe me pranimin në Këshillin e Evropës, kjo i jepen një shans pari tash Rusia është e suspenduar dhe kjo i jep shans Kosovës se mund të anëtarësohet pasi që edhe aty nuk ka një kundërshtim të hapur për anëtarësim. Mendoj që është një momentum që duhet shfrytëzuar maksimalisht”, theksoi Ibishi.
Ndërkaq, Kadri Kastrati ka thënë se gjasat janë të vogla që Kosova të anëtarësohet në NATO, por formimi i grupit punues është një iniciativë shumë e mirë.
“Është shumë mirë që Qeveria ka bërë një grup ndërministror për me i ndjekë procedurat që duhet t’i ndjekë Kosova për tu anëtarësuar në NATO. Sa kanë kompetenca edhe sa është kjo reale që Kosova të anëtarësohet në NATO unë mendoj që gjasat janë shumë të vogla për momentin, sepse për tu anëtarësuar në NATO, duhet të plotësohen disa rregulla”, tha Kastrati për Telegrafin.