Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, ish-deputeti nga radhët e PDK-së, Andin Hoti, ka folur për çështjen e të pagjeturve, trajtimin e kësaj teme në dialog me Serbinë, për hapjen e arkivave shtetërore serbe, lajmet e pavërteta në lidhje me fatin e babait të tij, Ukshin Hoti, si dhe për jetën e tij jashtë angazhimit politik.
Andin Hoti theksoi se politikisht vazhdon të jetë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, teksa u shpreh se pozita e tij e tanishme nuk e lejon moralisht të merret me politika ditore.
“E para, për mua të gjitha partitë janë shqiptare dhe ndjehem mirë të bashkëpunoj me secilën prej tyre. E dyta, kam thënë me fillim dhe vazhdoj me e potencu që unë nuk kam lëvizë prej asnjë partie politike, nuk kam aderu në asnjë parti tjetër”, tha ai.





