LAJME

Analistët për propozimin franko-gjerman: Qeveria të jetë më transparente, njohja të bëhet kusht

Analistët për propozimin franko-gjerman: Qeveria të jetë më transparente, njohja të bëhet kusht
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Tetor 2022, 11:40

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka konfirmuar se për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si propozim është edhe iniciativa franko-gjermane.

E njohësit e politikes në vend, po thonë se ky model duhet që të analizohet mirë para se t’i jepet një përgjigje përfundimtare.

Gazmir Raci për FrontOnline, tha se propozimi franko-gjerman, i hapë rrugë Kosovës drejt NATOS, BE-së, e OKB-së, por ai tha se Qeveria duhet që këtë propozim ta diskutoj edhe me liderët e opozitës.

“Nëse është ajo çka kemi pa dhe lexuar duke propozim serioz sepse ja hap rrugën Kosovës drejt NATOS, BE-së e OKB-së. Kosova këto synime i ka natyrisht që po e ritheksoj se ky propozim nuk duhet të refuzohet bllanko pa i menduar mirë anët pozitive dhe ato negative nëse i ka. Qeveria dhe kryeministri duhet që ta diskutoj me liderët e opozitës këtë propozim”, u shpreh ai.

Sipas njohësit të politikave të jashtme, Dritro Arifi, propozimi i ri franko-gjerman, nuk ka kuptim nëse nuk garanton njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së.

“Duke iu referuar një draft kornize që është publikuar, i bie që njëri ndër modelet mund të jetë mos pranimi faktik i Kosovës por avancimi i Kosovës në institucionet ndërkombëtare mirëpo, gjithmonë kusht duhet të jetë njohja nga pesë vendet e BE-së, nëse nuk është kusht njohja nga këto pesë vende asgjë nuk ka kuptim”, u shpreh ai.

Ndërsa analisti politik, Arton Demhasaj, pati kritika për Qeverinë sa i përket çështjes së dialogut.

Ai tha se Qeveria duhet të jetë më transparente dhe ta bënë publike dokumentin në mënyrë që qytetarët të kenë më shumë informacione sa i përket çështjeve të rëndësishme për vendin.

“Nuk e dimë saktësisht se çfarë përbën ai dokument. Qeveria është jo-transparente pasi që në të kaluarën kur ka qenë në opozitë i ka kritikuar të tjerët që nuk janë transparent, ndërsa sot që janë në dialog janë të njëjtë janë komplet të mbyllur dhe nuk po e informojnë publikun”, tha ai.

Në bazë të propozimit franko-gjerman që po qarkullon në medie, autoritetet serbe në të ardhmen nuk do të pengojnë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Siç precizohet, përfaqësuesi i Kosovës nuk do të njihej si ambasador, derisa Serbia nuk do të ishte e obliguar që në materialet e saj gjeografike të shlyente Kosovën nga territori i saj, njësoj siç ka bërë dikur Gjermania Perëndimore që e paraqiste Gjermaninë Lindore si pjesë të përbashkët të një shteti./Front Online

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika