Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME) ka deklaruar se vendi është duke u përballur me një situatë të vështirë nga temperaturat e larta, ku si pasojë vetëm gjatë javës së fundit janë paraqitur 320 raste të zjarreve malore, fushore por edhe në objekte. Aktualisht sipas AME-së shtatë zjarre janë aktive dhe po punohet që të shuhen plotësisht.
Drejtori i AME-së, Genc Metaj, në një konferencë për media të mbajtur të martën, tha se deri më tani kanë humbur jetën një zjarrfikës nga komuna e Gjakovës e një qytetar nga komuna e Klinës. Ai shtoi tha se janë dy zjarrfikës të lënduar, në komunën e Lipjanit dhe Vitisë.
“Bazuar në paralajmërimet nga Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës nga temperaturat e larta vendi është duke përballur me një situatë të vështirë, ku si pasojë janë paraqitur shumë zjarre në të gjithë vendin. Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 320 raste të zjarreve duke përfshirë zjarre malore, fushore por edhe objekte. Për të gjitha këto raste kemi intervenuar me sukses, pas intervenimit dhe koordinimit gjendja aktuale është stabile, momentalisht i kemi shtatë zjarre aktive dhe po punohet që edhe këto të shuhen plotësisht. Ky numër i madh dhe pasojat e mëdha që mund të sjellin këto zjarre janë alarmante. Fatkeqësisht kemi humbur një zjarrfikës nga Gjakova, gjithashtu e ka humbur jetën një qytetar nga komuna e Klinës. Për momentin i kemi të lënduar dy zjarrfikës një nga komuna e Lipjanit dhe Vitisë”, tha Metaj.





