Kryeministri Albin Kurti i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci kanë pritur në takim ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.
Lobbezoo e ka uruar Kurtin për përqindjen e lartë të fitores në zgjedhje dhe për marrjen e detyrës. Ajo e ka përgëzuar edhe për shembullin inkurajues, siç ka thënë ajo, që u ka dhënë qytetarëve me marrjen e vaksinës kundër COVID-19.
Kurti tha se sado që në sasi të vogël kontingjenti i parë i vaksinave ka sjellë shpresë në Kosovë.
Kryeministri kosovar dhe ambasadorja holandeze biseduan edhe për gjendjen e agrokulturës në Kosovë dhe që të dy u pajtuan se duhet një qasje e re ndaj prodhimit vendor dhe stimulimit të prodhuesve.
Kurti tha se duhet bashkëpunim më i ngushtë i institucioneve të larta arsimore me fermerët në mënyrë që të rritet produktiviteti.
Ambasadorja e Holandës e njoftoi për projektet që qeveria e vendit të saj është duke i implementuar në Kosovë në fushën e blegtorisë dhe prodhimit të qumështit.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën vullnetin dhe gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës.