Ambasadori spanjoll në Beograd, Raul Bartolome Molina u tha sot gazetarëve se vendi i tij nuk do të ndryshojë qëndrimin e tij kur bëhet fjalë për pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se vendi i tij kundërshton edhe aplikimin e saj në Bashkimin Evropian, si dhe çdo organizatë tjetër ndërkombëtare.
Molina u tha gazetarëve, në prag të takimit të Qendrës për Politika Evropiane për marrjen e kryesimit të BE-së “Nga Spanja në Belgjikë”, se vendi i tij nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim në gjashtë muajt e fundit si kryesuese e Presidencës së Këshillit të BE-së në lidhje me aplikimin e Kosovës.
“Ne jemi në pritje të opinionit ligjor, i cili nuk ka ardhur dhe do t’i përcillet Belgjikës, si kryetar i radhës”, tha ambasadori, raporton agjencia serbe e lajmeve “FoNet”.
“Është ndërprerë aplikimi i Kosovës, pritet një mendim juridik, siç thashë, por sigurisht Spanja nuk është pro, e as për ndonjë aplikim të Kosovës që të jetë pjesë e ndonjë organizate ndërkombëtare”, tha Molina, duke shtuar se sipas ligjit dhe narrativës në vendin e tij, për ta, “Kosova nuk është vend, por territor”.
“Kjo nuk do të ndryshojë”, tha prerazi ambasadori spanjoll në Serbi.
Molina nuk ka mundur të thotë se cilat terma do të përdoren në konkluzionet e Këshillit të BE-së kur bëhet fjalë për Marrëveshjen e Ohrit dhe kapitullin 35 në negociatat me Serbinë, por është i bindur se do të ketë referenca për të.
“Sipas vetë asaj marrëveshjeje, ato duhet të jenë thelbi i kapitullit 35, por nuk e di se çfarë termash do të përdoren”, shtoi Molina.
Spanja është një nga pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.