Të enjtën në ambientet e Shkollës së Gjuhëve dhe Qendrës së Provimeve të Gjuhës Gjermane “URA” në Prizren, qëndroi për vizitë ambasadori i Austrisë i akredituar në Kosovë, Mag. Georg Schnetzer i shoqëruar nga përfaqësuesi i ÖSD nga Austria, Lazim Amhmedi.
Sipas njoftimit, mysafirët u pritën nga udhëheqësi i shkollës dhe kryesuesi i provimeve, prof. Neki Jahaj, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë vizitës, thuhet se ambasadori u informua nga afër për veprimtarinë dhe punën e përditshme të shkollës, organizimin e kurseve të gjuhës gjermane, si dhe funksionimin e Qendrës së Provimeve të ÖSD në Prizren, e cila thuhet se tashmë ka një rol të rëndësishëm në përgatitjen dhe certifikimin gjuhësor të kandidatëve në rajon.
Në kuadër të takimit, bëhet e ditur se u diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit kulturor dhe arsimor ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, si dhe për interesimin në rritje të të rinjve për mësimin e gjuhës gjermane.
“Ambasadori pati rastin të njihet më shumë edhe me jetën kulturore dhe historinë e qytetit të Prizrenit, duke vlerësuar diversitetin dhe trashëgiminë e pasur kulturore të tij. Në kuadër të qëndrimit në Prizren, ambasadori vizitoi edhe Muzeun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku u prit nga udhëheqësi i muzeut, Dr. Parim Kosova. Gjatë kësaj vizite, ambasadori u njoh nga afër me rëndësinë historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe rolin e saj në historinë kombëtare shqiptare” – thuhet tutje në njoftim.
Sipas njoftimit, vizita u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, duke theksuar rëndësinë e arsimit, komunikimit ndërkulturor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet institucioneve arsimore dhe kulturore.