Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot ka deklaruar se është çështje e partive politike të gjejnë mënyrën e duhur për zgjedhjen e presidentit.
Ai për KosovaPress tha se i sheh si hap pozitivë takime e fundit që janë zhvilluar në mes të partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje dhe dy partive më të mëdha opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Siç u shpreh ambasadori, Guerot edhe Kushtetuta e Kosovës e bën të nevojshme që partitë politike të bisedojnë me njëra-tjetrën.
“Mendoj se është shumë mirë që partitë politike po flasin me njëra-tjetrën. Është e tyre që të gjejnë një zgjidhje. Kuadri institucional i Kushtetutës së Kosovës e bën të nevojshme që partitë politike të bisedojnë me njëra-tjetrën. Sigurisht, nuk dua të komentoj për këto diskutime tani sepse është çështje e tyre që të gjejnë mënyrën e duhur për zgjedhjen e presidentit”, u shpreh ambasadori francez.
Ambasadori francez beson se subjektet politike dhe institucionet në Kosovë qetësisht do të punojnë për zgjedhjen e shefit të shtetit.
“Jam i bindur se partitë politike dhe institucionet do të punojnë qetësisht për zgjedhjen e një presidenti. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha institucionet, duke përfshirë edhe presidenten aktuale. Presim me kënaqësi të vazhdojmë bashkëpunimin me institucionet e Kosovës, institucione që kemi mbështetur që nga viti 1999 dhe 2008, dhe është kënaqësi të shohim që tani institucionet janë të vendosura fort”, ka deklaruar ai.
I pyetur për një emër konsensual për president, ambasadori francez, Olivier Guerot deklaroi se nuk dëshiron t’i komentojë politikën e brendshme, por shprehet i lumtur që institucionet po funksionojnë.
“Si diplomat i huaj, nuk dua të komentoj për politikën e brendshme. Kemi punuar shumë që Kosova të bëhet një shtet sovran dhe jemi të lumtur të shohim që institucionet po funksionojnë qetësisht me njëra-tjetrën”, theksoi ai.
Gjatë kësaj interviste për KosovaPress, ambasadori i Francës në Kosovës, Olivier Guerot është shprehur i lumtur që pas një viti Kosova ka themeluar institucionet e saja.
“Ne jemi shumë të kënaqur që, pas një viti hezitimi, më në fund, Kuvendi është themeluar sipas rregullave dhe qeveria është formuar. Ne po prisnim këtë sepse na duhen partnerë për aktivitetet tona ekonomike këtu në Kosovë, si dhe për procesin politik dhe diplomatik. Franca do të jetë edhe më e pranishme në fushën ekonomike këtu. Javën e kaluar patëm një ditë të biznesit francez. Do të kemi gjithashtu nënshkrime të marrëveshjeve të huas me Agjencinë Franceze për Zhvillim dhe për këtë na duhet një qeveri. Pra, jemi shumë të lumtur që një qeveri funksionale mund të marrë angazhime dhe Kuvendi të ratifikojë”, ka deklaruar Guerot.
Deri më 4 mars 2026 presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet në Kuvendin e Kosovës, ndryshe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës ka zhvilluar takime me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ku temë diskutimi ishte çështja e presidentit.