Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë se deputetët e pozitës dhe opozitës duhet të marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit e cila pritet të mbahet sot.
Ai ka deklaruar se deputetët mund të votojnë pro ose kundër, por duhet ta përmbushin rolin e tyre kushtetues duke qenë të pranishëm në këtë seancë.
“Mbrëmë kemi parë shumë deputetë që flisnin për mbrojtjen e demokracisë dhe institucioneve demokratike të Kosovës. Qëndrimi im është se mbrojtja e demokracisë dhe institucioneve të Kosovës nënkupton gjithashtu edhe të marrësh pjesë në zgjedhjen e presidentit. Deputetët mund të votojnë si të duan. Por, akti përgjegjës për ta është që ta përmbushin rolin e tyre kushtetues duke e mbështetur procesin demokratik përmes pjesëmarrjes dhe votës së tyre”.
Abbott, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nëse nuk zgjedhet presidenti vendi shkon në zgjedhje të reja të cilat sipas tij nuk janë në interes të askujt kur Kosova është në krizë pandemike dhe ekonomike.
“Kuvendi do ta mbajë së shpejti një seancë për ta zgjedhur presidentin e ri. Nëse kjo do të ndodhë me sukses, procesi i formimit të institucioneve do të ketë përfunduar me sukses dhe ata mund të fillojnë të punojnë seriozisht. Nëse votimi dështon, Kushtetuta kërkon zgjedhje të reja.
Që nga votimi më 14 shkurt, mesazhi im për liderët politikë, publiksht dhe privatish, ka qenë konsistent.
Votimet – pjesëmarrja më e madhe që nga viti 2004 – ishte një sinjal i qartë nga populli i Kosovës për ndryshim dhe qeveri efektive.
Të gjitha partitë, dhe jo vetëm partia fituese, duhet të luajnë rol konstruktiv në formimin e institucioneve.
Zgjedhjet e reja në mes të krizës pandemike dhe ekonomike nuk janë në interes të askujt. Nuk ka ndryshuar sot”.