Kushtet e Kryeministrit Kurtit për Asociacionin nuk kanë gjetur mbështetjen e gjermanëve. Përderisa ambasada amerikane nuk jep koment për to dhe Lajcak refuzon ta bëjë publik qëndrimin e BE-së, Ambasada gjermane në Prishtinë nuk e vlerëson me vend vënien e parakushteve. Asociacioni, për gjermanët, gjithsesi se duhet të bëhet. Ata përmendin situatën e brishtë në Veri duke thënë se pikërisht për këtë, nevojitet qasje konstruktive.
Kryeministri Albin Kurti ka shprehur qëndrimin e tij më të fundit për Asocicionin, përmes gjashtë kushteve që i shpalosi në Kuvend.
Ato më pas i ka ndarë me diplomatët e huaj dhe përfaqësuesit perëndimorë që janë përfshirë si ndërmjetës për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.
Njëherë për njëherë, amerikanët kanë evituar dhënien e ndonjë komenti rreth kushteve të Kurtit, ndërsa Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak, ka thënë se BE-ja e ka një qëndrim rreth këtij kushtëzimi, por nuk do ta thotë publikisht.
Ndërsa, nga Ambasada gjermane, duke kujtuar situatën në aspektin e sigurisë në veri, thonë se nuk duhet vënë parakushte për Asociacionin.
“Një qasje konstruktive është urgjente duke pasur parasysh gjendjen e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës dhe nuk duhet vënë parakushte”, ka thënë zëdhënësi Sebastian Leuschner për Gazetën Express.
Ambasada gjermane rikthekson rëndësinë që e ka për ta plani i iniciuar nga Gjermania dhe Franca, nën siglën e Bashkimit Evropian.
“Propozimi evropian, i bazuar në iniciativën franko-gjermane, është një mundësi historike që duhet të kapet nga të dyja palët. Ai synon vendosjen e raportit mes Kosovës dhe Serbisë në një bazë të re”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Gjashtë pikat e prezantuara nga Kurti nuk e kanë lëkundur Ambasadën gjermane nga qëndrimi i vet për “rëndësinë e Asociacionit”.
“Iniciativa [plani franko-gjerman] është një mundësi unike për përparim të madh në këtë çështje, e cila e ka mbajtur veçanërisht Kosovën mbrapa, politikisht dhe ekonomikisht, për shumë vjet. Për Kosovën, një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes është që të zbatojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilin janë pajtuar në vitin 2013/2015”.
Lajcak të hënën ka ngrënë drekë me Kurtin në Prishtinë dhe aty tha se ia ka kumtuar qëndrimin e BE-së për kushtet rreth Asociacionit.
“Kemi folur për këtë çështje [6 kushtet e Kurtit] dhe e informova kryeministrin rreth pozicionit tonë por s’dua ta bëjë publike analizën legale, ishte e dobishme që e diskutuam këtë”, tha Lajcak.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka zbardhur pak këtë sekret të Lajcakut, duke thënë se “BE-ja ka vërejtjet e saj në dy kushte”, pa treguar se për cilat saktësisht.
Deri tash, Perëndimi që e kërkon me ngulm formimin e Asociacionit, publikisht, nuk ka ofruar hapësirë negocimi të kushteve që ka vënë Kryeministri i Kosovës.