Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka thënë se me vëmendje po ndjek procesin gjyqësor ndaj drejtorit të VisaMetric.
Sipas ambasadës, që nga data 17 maj 2023, opsioni për kthimin e pasaportës me postë nuk është më i detyrueshëm, kur caktohet terminin në mënyrë elektronike, njofton Klan Kosova..
“Personat të cilët nga data 17 maj vendosin për tërheqje personale të pasaportës, ndërsa gjatë caktimit të terminit kanë paguar shërbimin postar për kthimin e pasaportës, do të rimbursohen. Që nga data 17 maj 2023, opsioni për kthimin e pasaportës me postë nuk është më i detyrueshëm, kur caktoni terminin në mënyrë elektronike. Njoftimin për këtë, VisaMetric e publikoi në mbrëmjen e datës 16 maj në faqen e saj të internetit”.
Tutje, ambasada shton se në kontratën e lidhur në mes VisaMetric dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, VisaMetric obligohet të respektojë përcaktimet e Ligjit Federal për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave.
“Prandaj, VisaMetric duhet të operojë infrastrukturën e saj të teknologjisë së informacionit në përputhje me kërkesat e Zyrës Federale për Sigurinë e Informacionit për Administratën Publike, dhe mund të ruajë të dhënat personale të aplikantëve vetëm në serverë brenda Zonës Ekonomike Evropiane. Të dhënat e regjistruara alfanumerike dhe biometrike të aplikantëve i dërgohen ambasadës në formë të koduar. Këto të dhëna nuk ruhen në pajisjet e shërbyesit të jashtëm VisaMetric”.
Më tej, ambasada thekson se VisaMetric edhe më tej është i obliguar që menjëherë pas dërgimit të fshijë të gjitha të dhënat e aplikantëve dhe të sigurojë që për caktimin e terminit të ruhen vetëm emri, të dhënat e kontaktit si dhe numri i pasaportës deri në momentin kur pasaporta i kthehet aplikuesit, dhe që këto të dhëna më pas të fshihen menjëherë./klankosova/