Ambasada e Britanisë e ka vlerësuar operacionin e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit, ndërkaq koordinimin midis KFOR-it dhe FSK-së e ka cilësuar si pozitiv.
“Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar vlerëson koordinimin pozitiv ndërmjet misionit KFOR-it të udhëhequr nga NATO dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), pas autorizimit nga Komandanti i KFOR-it, që FSK të vendosë ekipe kërkim-shpëtimi me qëllimin specifik të ndihmës në rastin tragjik të një personi të zhdukur në Liqenin Ujman/Gazivoda.” – thuhet në reagimin e kësaj ambasade.
Sipas Ambasadës së Britanisë, operacioni dëshmoi aftësitë e FSK-së në intervenime të kërkim-shpëtimit, teksa përgëzoi KFOR-in për mbështetje gjatë operacionit.
“Operacioni është dëshmi e përsosmërisë së aftësive të kërkim-shpëtimit të FSK-së dhe në përputhje me marrëveshjet afatgjata midis KFOR-it dhe FSK-së. Ne e përgëzojmë KFOR-in për ofrimin e mbështetjes dhe sigurisë gjatë gjithë këtij operacioni dhe i shprehim ngushëllime familjes së burrit që fatkeqësisht humbi jetën.” – thuhet mes tjerash.
Ambasada e Britanisë në Kosovë, theksoi tutje se Mbretëria e Bashkuar mbështet plotësisht misionin e KFOR-it për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë.
Teksa, shtoi se “Bashkëpunimi i ngushtë midis KFOR-it, FSK-së dhe reaguesve të tjerë të sigurisë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, është jetik për suksesin e misionit të KFOR-it.”
Për operacionin e FSK-së në veri, pati reagime edhe nga misionet e tjera diplomatike në Kosovës.
Ambasada gjermane në Kosovë është shprehur e shqetësuar nga, siç thuhet në reagim, përpjekjet për të politizuar shkuarjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të vendit në operacionin e kërkimit për gjetjen e trupit të 33-vjeçarit në Liqenin e Ujmanit.
Ambasada ka thënë se vdekja tragjike e 33-vjeçarit do duhej të ishte moment pikëlllimi kolektiv e jo rast për pikë politike.
“Ambasada gjermane është thellësisht e shqetësuar nga përpjekjet për të politizuar vendosjen e sotme të një ekipi të specializuar të kërkimit dhe shpëtimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në Liqenin e Ujmanit- një operacion i lehtësuar nga KFOR-i në përputhje të plotë me mandatin e tij dhe i miratuar nga komandanti i KFOR-it vetëm për qëllime humanitare. Humbja tragjike e jetës së një të riu duhet të jetë një moment pikëllimi kolektiv, jo një rast për pikëzim politik”- ka deklaruar Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, më 29.07.2025.
Kurse ambasadori francez, Olivier Guerot, doli në mbështetje të plotë të misionit të NATO-s në Kosovë, duke theksuar se KFOR-i ka një rol të pazëvendësueshëm dhe meriton respektin e të gjithë aktorëve në rajon.
“Franca mbështet plotësisht KFOR-in dhe Komandantin e tij. Që nga krijimi i tij, KFOR-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të pazëvendësueshëm në sigurimin e sigurisë për të gjithë. Meriton respektin dhe mirënjohjen e të gjithë aktorëve në rajon. Franca do të vazhdojë t’i ofrojë atij gjithë mbështetjen e nevojshme në një kontekst ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike,”- shkroi Guerot në rrjetin social “X”.
Forca e Sigurisë së Kosovës mori pjesë në operacionin e kërkimit të 33-vjeçarit Rrahim Latifi në Liqenin e Ujmanit. Ai dyshohet se kërceu nga ura më 27.07.2025 dhe nuk doli më nga uji. FSK në ketë operacion, që përfundoi me gjetjen e trupit pas 8 orësh kërkimi, ishte në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe në bashkërendim me KFOR-in.