Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka dalë me reagim pas raportimeve se SHBA-ja do të dërgojë në Kosovë refugjatë afganë të cilët kanë nevojë për rishikim të të dhënave fillestare. Sipas një njoftimi nga kjo ambasadë, në Kosovë nuk do të strehohen qytetarë që janë të konsideruar të papranueshëm për SHBA-në.
Kjo ambasadë ka thënë se procesi përmes së cilit afganët që aplikojnë për viza imigruese ose status refugjati në SHBA është kompleks.
“Procesi përmes të cilit afganët aplikojnë për viza të veçanta imigruese ose status refugjati në SHBA është kompleks, dhe disa aplikantë janë ende në procesin e marrjes së dokumenteve të nevojshme dhe dhënies së të gjitha informatave që kërkohen për t’u kualifikuar për hyrje të menjëhershme sipas ligjit të SHBA-ve. Disa raporte të mediumeve kanë lënë lexuesit me përshtypjen e pasaktë se Shtetet e Bashkuara synojnë të transferojnë në Kosovë individë të cilët autoritetet amerikane i kanë konsideruar të papranueshëm për Shtetet e Bashkuara. Kjo nuk qëndron. Marrëveshja midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i lejon Shtetet e Bashkuara të strehojnë përkohësisht në kampin Bondsteel një numër të kufizuar qytetarësh afganë, aplikimet e të cilëve kërkojnë përpunim shtesë. Kjo mund të përfshijë detyra si: qartësimi i identitetit të aplikantëve, historinë e tyre të punësimit, ose lidhjet tjera me Shtetet e Bashkuara. Zyrtarë të Ambasadës Amerikane në Kosovë po ndihmojnë në këtë proces”, thuhet në reagim.





