LAJME

Alma Loki kampione ballkanike në karate

Alma Loki kampione ballkanike në karate
TV Prizreni
TV Prizreni
24 Shkurt 2024, 12:48

Alma Loki ka pasur ditë shumë të suksesshme në Kampionatin Ballkanik të Karatesë që po organizohet në Podgoricë të Malit të Zi.

Loki të shtunën e fitoi medaljen e artë në këtë garë në kategorinë Kata, pasi i fitoi të pesë meçet që i pati, ndërsa dy prej kundërshtareve që i mposhti ishin serbe. Njërën prej tyre e mposhti në finale.

Loki e nisi me fitore ndaj karateistes greke, Eleni Chatzara.

Më pas fitoi ndaj turkes Betul Bilgin.

Në meçin e radhës pa telashe fitoi ndaj serbes Mina Meshiq.

Isidora Borovqanin e Bosnje-Hercegovinës e mposhti në gjysmëfinale.

Në finale fitoi ndaj Neda Milosheviq.

Federata e Karatesë e Kosovës e ka vlerësuar sukses historik fitoren e Alma Lokit në kampionatin Ballkanik për seniorë dhe veteranë në Podgoricë.

“Alma Loki, kampione Ballkani. Fantastike Alma në kategorinë e Katave. Për herë të parë në historinë e Kosovës, kampione Ballkani. Në finale mundi serben me rezultat bindës. Suksese Kosovë”, ka shkruar Federata e Karatesë e Kosovës të shtunën.

Të premten në kategorinë e seniorëve në Kampionatin Ballkanik, Vlera Qerimi e fitoi medaljen e bronztë pasi zuri vendin e tretë në kategorinë deri në 68 kilogramë.

Të bronztën e fitoi nëpërmjet repesazhit.

Fortesa Orana në kategorinë mbi 68 kilogramë dhe Elmedina Istogu në kategorinë deri në 61 kilogramë, e zunë vendin e pestë.

Hatigje Zejnullahu u rendit e shtata në kategorinë deri në 50 kilogramë, njëjtë si Behije Mustafa në kategorinë deri në 68 kilogramë.

Federata e Karatesë e Kosovës ka njoftuar po ashtu se te veteranët janë fituar dy medalje të arta e një e argjendtë.

Musli Rexha në kategorinë deri në 85 kilogramë dhe Arbënor Veliu në kategorinë mbi 85 kilogramë u stolisën me të artën, kurse Bekim Hajdari në kategorinë deri në 85 kilogramë, e fitoi të argjendtën.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika