LAJME

Alishani i reagon Totajt: Duhet ta akuzojë PDK-në, e jo Qeverinë Kurti për kontratën kolektive

Alishani i reagon Totajt: Duhet ta akuzojë PDK-në, e jo Qeverinë Kurti për kontratën kolektive
TV Prizreni
TV Prizreni
30 Gusht 2026, 12:18

Kuvendarja e Kuvendit Komunal të Prizrenit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dafina Alishani, ka reaguar ndaj kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, pas thirrjes së tij për protestë më 1 shtator kundër, siç ka thënë ai, përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për cenimin e buxheteve të komunave, centralizimin e kompetencave dhe marrjen e pronave komunale.

Alishani ka deklaruar se Totaj duhet ta drejtojë kritikën ndaj subjektit të tij politik, PDK-së, lidhur me pasojat financiare që, sipas saj, po përballen komunat si pasojë e kontratave kolektive.

Ajo ka rikujtuar se kontrata e parë kolektive është nënshkruar më 18 prill 2017 nga ministri i atëhershëm i Arsimit, Arsim Bajrami, nga radhët e PDK-së, në Qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa.

Sipas Alishanit, kontrata e dytë kolektive është nënshkruar më 22 janar 2021 nga ministri i Arsimit, Ramë Likaj, nga radhët e AAK-së, në Qeverinë Hoti. Ajo pretendon se kjo kontratë ka shtuar më tej barrën financiare mbi komunat, duke përfshirë edhe benefite të reja, pa siguruar linja të veçanta buxhetore nga niveli qendror për mbulimin e tyre.

‘’Lëvizja Vetëvendosje nuk ka nënshkruar asnjë kontratë kolektive me asnjë sindikatë që do t’i bëhej barrë Komunave të Republikës“, ka shkruar Alishani.

Ajo ka thënë gjithashtu se ish-ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nga radhët e Vetëvendosjes, ka ndërmarrë hapa për shkëputjen e kontratës, me qëllim, sipas saj, të ndalimit të dëmit financiar ndaj komunave.

Në fund, Alishani ka deklaruar se Qeveria Kurti nuk mund të ndërhyjë në vendimet e gjykatave për ekzekutimin e faturave që, sipas saj, janë krijuar nga vendimet e qeverive të mëparshme.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika