Tri javë pas vizitës jozyrtare të kryeministrit Albin Kurti në komunat me shumicë shqiptare, Tetovë e Çair, një vizitë të ngjashme do ta zhvillojë edhe kreu i partisë shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, me një ekip të tij. Ahmeti me bashkëpartiakët do të qëndrojnë në komunën e Gjakovës, sipas njoftimit.
Në vizitën e tij në shtetin fqinj, Kurti s’e takoi Ahmetin, por disa parti opozitare shqiptare atje.
Dhe po të njëjtën gjë do të bëjë edhe Ahmeti.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili do të jetë bashkë me Ahmetin nesër për vizitë në Kosovë, ka thënë për Gazetën Express s’e nuk e kanë në plan ndonjë takim me kryeministrin Kurti.
“Nuk kemi në agjendë takim”, tha Grubi shkurt.
Në njoftimin dërguar mediave bëhet e ditur se Ali Ahmeti të shtunën do të vizitojë Gjakovën.
“Ju njoftojmë se Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, i shoqëruar nga Kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi, Zëvendës Kryeministri i parë, z. Artan Grubi, Ministri i Financave, z. Fatmir Besimi, Ministri i Ekonomisë, z. Kreshnik Bekteshi, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Jeton Shaqiri, Ministri i Jashtëm, z. Bujar Osmani dhe shefi i grupit parlamentar, z. Arbër Ademi, ditën e shtunë, më 2 shtator 2023, me fillim në ora 13:00, do të vizitojnë kapacitet prodhuese të fabrikës Comodita në Gjakovë të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftim.