Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka nisur një konferencë të jashtëzakonshme për mediat në Serbi, pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës. Në orët e para të së dielës në një sulm u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në një aksion të policisë, pasi sulmuesit u futën në Manastirin e Banjskës, janë vrarë tre sulmues, ndërsa janë arrestuar gjashtë të tjerë.
Sipas autoriteteve të Kosovës, të vrarët dhe të arrestuarit janë grup mercenar i organizuar nga Beogradi.
LIVE:
Duke deklaruar se Serbia s’ka kontroll efektiv në Kosovë, Vuçiqi ka shtuar se u është dashur shumë kohë që të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në Kosovë.
“Në të vërtetë do të flasim vetëm për atë që ka ndodhur, pastaj do ta bëjmë vlerësimin e kësaj. Mbrëmë rreth orës 2 një grup i serbëve nga Kosova i kanë vendosur dy kamionë në Banjskë pastaj vjen Policia e Kosovës që tenton t’i largojë ato barrikada dhe pason konflikti, ku është vrarë një polic dhe një tjetër është plagosur. Në 8:57 vendkalimet në Jarinjë e Bërnjak janë mbyllur dhe të shtënat kanë vazhduar. Ndonëse për këtë kemi folur çdo herë dhe çdo ditë kam tërhequr vërejtjen që kjo mund të ndodhë nga njerëzit në Kosovë, që nuk kanë dashur ta durojnë terrorin e Kurtit”, ka thënë ai.
Ka deklaruar se që nga nëntori Kurti ka përdorur 62 herë policinë e Kosovës ndaj serbëve në veri.
Vuçiq ka thënë se janë bërë mbi “56 sulme të motivuara politike mbi serbët”.
Vuçiq ka thënë se nuk dëshiron të arsyetojë vrasjen e policit dhe se kjo është për t’u gjykuar.
“Është diçka që askush s’kishte nevojë për këtë, aq më pak populli serb, veçanërisht në këtë moment kur të gjithë e kuptuan se Kurti është organizatori kryesor i kaosit në Kosovë”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se për 1 orë e 20 minuta janë rrethuar “afro dhjetë serbë”.
“Ishin në rrethim të plotë dhe është evidente se është bërë së bashku me forcat ndërkombëtare në aspektin logjistik e është zbatuar një sulm brutal mbi ta”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se ka pyetur pse KFOR-i nuk ka vepruar për të pasur më pak viktima. Por, thotë se “Kurtit i është dhënë leje për të vrarë sa më shumë njerëz”.
“Kurtit i kanë dhënë ‘carte blanche’ për t’u marrë me terroristët. Sipas informacioneve që kemi deri më tash, dy janë plagosur rëndë, tre janë vrarë dhe frika është se është vrarë edhe një person i katërt. Kemi përgjuar se çfarë ka bërë policia shqiptare dhe për shkak përkthimit jemi në pritje të dëshmive se çfarë po bënte policia shqiptare”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se “një sulmues është në rrezik për jetë vetëm pasi nuk u është dhënë ndihmë”.
Vuçiq ka thënë se ka incizimet “ku dëgjohen policët shqiptarë duke qeshur e duke thënë lëre”.
Ai ka thënë se dy serbë janë qëlluar nga snajperë nga distanca. Po ashtu ka thënë se është shtënë edhe në drejtim të shtëpive, në të cilën ka pasur “vetëm pleq”.
Ai ka thënë se grupi i serbëve është futur në manastir të Banjskës vetëm “për të kërkuar ndihmë për dy të rinjtë e plagosur”.
“Kur ka ndodhur një konflikt i tillë në Maqedoni janë arritur biseda dhe marrëveshje, ndërkaq sot kanë thënë vritni të gjithë. Kur Serbia ka shkuar në Drenicë që të konfrontohet me ata që kanë dashur të shkëputën nga shteti i njohur ndërkombëtarisht, ata kanë thënë se kanë qenë luftëtarë për liri në krye me Adem Jasharin dhe jo terroristë, vetëm Serbia si duket është terroriste. Kjo është mësim që ta dimë se me kë kemi punë dhe të dimë se ç’është ajo që mendojnë për ne. Keni dëgjuar sot se gjithçka është organizuar nga Beogradi”, ka deklaruar Vuçiqi.
“Ne sot gjithë ditën kemi pasur një takim me Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe vendimet do t’i marrim me kujdes. Do t’i përgatisim në mënyrë të hollësishme, dhe me këto vendime të dalim para popullit tonë në Kosovë. E thërras bashkësinë ndërkombëtare që Asociacioni të formohet, që në veri të Kosovës të angazhohen policët serbë, sepse kjo është mënyra e vetme që serbët të mos ndiqen nga vatrat e tyre dhe të mos ketë konflikte. Ne i bëjmë thirrje popullit tonë për paqe, dhe t’i besojnë shtetit të tyre. E jona është që të shterojmë gjithçka që kemi mundësinë të bëjmë që të mos ketë gjakderdhje më të madhe. Neve na përket të tentojmë që ta ruajmë paqen”.
“Ne do të marrim vendime për këto ngjarje dhe jo dikush tjetër. Dyfytyrësia është emri i tyre i mesëm. Gjithë kohën kanë kërkuar arsyetim që ta fajësojnë Serbinë derisa të mos e njohin Kosovën. Ky është presioni për ta njohur Kosovën”, ka thënë tutje Vuçiqi.
“Ky presion do të vazhdojë. Ata që mendojnë se do të bëjmë presionin e madh që Serbia ta njohë Kosovën, do t’u them në mënyrë të fuqishme, kurrë nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës. Mund të na vrisni të gjithëve, mund të thoni çka të doni”, ka shtuar ai.
“Kjo paraqet atë se si duket një luftë speciale ndaj Serbisë. Nuk janë uniforma as të ushtrisë e as policisë së Serbisë, nuk kanë pasur armë speciale. Ne pa lejen e KFOR-it nuk mund të hymë, vetëm nëse duam të hymë në konflikt me NATO-n. Kemi biseduar me Petkoviqin e Listës Serbe. Ata janë me popullin e tyre. Problem është që policia shqiptare ka shtënë në shtëpi private dhe ka trokitur në ato shtëpi për t’i gjetur serbët. Barrikadat që janë vendosur është dashur t’i largojë KFOR-i dhe jo policia e Kosovës, për këtë e ka pësuar polici shqiptar”, ka thënë ai.
“Kosova kurrë s’do ta fitojë pavarësinë e saj, së paku jo nga Republika e Serbisë. Çka do që ndërmarrin ndërkombëtarët, ne vendimet do t’i marrim në ditët në vijim dhe do t’i marrim me kokë të ftohtë. Sa u përket vendimeve se si dhe në çfarë mënyrë do të mbrojmë popullin do t’ju njoftojmë”, ka thënë tutje Vuçiqi.
“Sa i përket shtensionimit, askush s’ka punuar sot sa i përket shtensionimit pasi forcat ndërkombëtare i kanë lënë në lloç dhe kanë lejuar që t’i ndjekin me snajperë dhe t’i vrasin, pas vrasjes së policit. Kësisoj, veriun e Kosovës dhe serbët t’i lënë pa burra që do t’i kundërvihen terrorit të Kurtit”.
“Për dy persona që e kanë pësuar e dimë nga janë, nga Mitrovica, dhe familjet e këtyre njerëzve i verifikojmë që të mos dalë që informatat të jenë të rrejshme dhe u shprehim ngushëllimet sikur edhe familjes së policit shqiptar të vrarë. Për gjithë këtë, fajtor është Kurti e të mos ishte Kurti, as polici s’do të ishte vrarë. Kurti ka lejuar që gjithë kjo të ndodhë”./koha.net/