LAJME

Aleanca: Nëse plotësohen kërkesat tona, e pranojmë Konjufcën president

Aleanca: Nëse plotësohen kërkesat tona, e pranojmë Konjufcën president
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Korrik 2026, 14:09

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të mundësojë zgjedhjen e presidentit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nëse partia fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit garanton zbatimin e gjashtë kërkesave që AAK-ja i konsideron prioritare.

Ai për KosovaPress tha se janë në pritje të një ftese nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar për këto kërkesa, ku përfshihet edhe pranimi i gazit amerikan.

Arifi shtoi se në një takim të tillë do të diskutohej edhe për formimin e institucioneve të reja, duke theksuar se shtatë deputetët e Aleancës janë të gatshëm të mundësojnë kuorumin për zgjedhjen e presidentit, edhe nëse kandidati i propozuar nga LVV-ja është Glauk Konjufca apo cilido emër tjetër.

“Mundet në takime edhe me u zotu se do t’i implementojë të gjitha pikat dhe mundemi me bisedu. Kur të mbërrijmë te ai stacion, diskutojmë. Ne jemi shumë të lehtë për me qëndru në sallë. Aleanca i ka lehtësuar punën LVV-së me i marrë shtatë votat e saj, me siguru kuorumin me çmimin më të ulët të mundshëm. Është e vetmja parti prej pas luftës që i ka ofruar partisë që ka fituar zgjedhjet me ia dhënë votat pa kurgjo për veti. Pa përfshirje në qeveri, ne s’kemi kërkuar as post ministror, as zëvendësministër, ambasador, këshilltar dhe as beneficione për komunat e Aleancës. (Gazi amerikan) Kjo është çështja e rreshtimit të Kosovës. Nuk është vetëm gaz. Qysh nuk po mundem me kuptu. Është çështje e partneritetit strategjik. Nuk po i thuhet jo vetëm gazit, po i thuhet një partneriteti afatgjatë strategjik që është në interes vital për shtetin e Kosovës. Nëse i thua gazit jo, e thëngjillit jo, kujt po i thua po? Atëherë po mbet, ti apriori po përcaktohesh për import nga mafia energjetike”, tha ai.

 

Arifi u shpreh se LVV-ja duhet vetëm të garantojë zbatimin e pikave të propozuara nga Aleanca, ndërsa shtoi se këto nuk janë të pandryshueshme dhe mund të diskutohen në një takim ndërmjet drejtuesve të dy partive./KosovaPress/

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika