Përmes një shkrimi në facebook, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se, sot një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga kryetari Albin Kurti bëri homazhe në kujtim të rënies së lavdishme të Komandant Mujë Krasniqit dhe 41 ushtarëve të UÇK-së, të cilët 22 vjet më parë po bartnin armë e municion nga Shqipëria për në Kosovë në mbështetje të luftës çlirimtare.
Në mëngjesin e acartë të 13 dhjetorit,1998, nga fshati malor Cahan në Shqipëri u nisën drejt Kosovës 143 ushtarë që po bartnin armatim të rëndë për ta mbështetur luftën çlirimtare në Kosovë. Nëpër bjeshkët e larta të Pashtrikut, e dëborën e madhe, atyre po u printe Mujë Krasniqi, apo siç e quanin bashkëluftëtarët Komandant ‘Kapuçi”. Edhe pse kishte fjalë që forcat serbe kishin zënë pozicione, Muja dhe bashkëluftëtarët tashmë kishin vendosur ta luftojnë okupatorin serb kudo që e hasin. Kjo ndodhi në mëngjesin e hershëm të datës 14 dhjetor, ku në relacionin Lkenet e Hasit-Gorozhup filloi ajo që tani quhet Beteja e Lavdishme e Pashtrikut. Pas luftimeve të gjata heroikisht ranë Mujë Krasniqi dhe 41 luftëtarë të tjerë të lirisë.







