Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po pret certifikimin e rezultateve zgjedhore të 7 qershorit për të nisur zyrtarisht diskutimet për formimin e institucioneve të reja dhe zgjedhjen e presidentit, thotë kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj.
Zulfaj deklaroi se certifikimi i rezultateve do të jetë pikënisja për llogaritjen e mandateve dhe shqyrtimin e skenarëve për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve.
Ai tha se Kurti, në cilësinë e kryeministrit dhe kryetarit të subjektit më të madh politik, duhet të presë përfundimin e procesit zgjedhor, në mënyrë që vendimet e mëtejshme të mbështeten në rezultatin zyrtar.
Sipas tij, në Lëvizjen Vetëvendosje tashmë ka diskutime për opsionet e mundshme, por mënyra se si do të materializohen ato do të varet edhe nga qasja që do të mbajnë subjektet e tjera politike ndaj krijimit të institucioneve të reja.
“Kryeministri, presidenti i LVV-së do të presë certifikimin e rezultateve së pari. Ajo pastaj është pikënisja që zyrtarisht sa mandate i ke fituar, në mënyrë që të flasësh pastaj mbi bazën. Dihet, por si kryeministër dhe president i subjektit më të madh duhet të presësh certifikimin e tyre që të flasësh sigurt se kush sa vende i ka për të bërë aritmetikat për konstituimin e institucioneve. Këta skenarë do t’i shqyrtojë mbi bazën e rezultatit, besoj, kryeministri bashkë me kryesinë e LVV-së… Sigurisht se ka diskutime (brenda LVV-së), por sesi do të materializohen këto diskutime. Në herën e kaluar kishim rezultatin dhe propozimin. Tash duhet të shohim edhe spektrin politik sesi e kanë qasjen karshi krijimit të institucioneve”, tha ai.
Zulfaj akuzoi partitë e ish-opozitës se edhe në mandatin e kaluar kanë penguar procesin e konstituimit të institucioneve, duke e zvarritur për muaj të tërë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ndonëse, sipas tij, ky post i takonte grupit më të madh parlamentar.
Ai tha se përveç refuzimit të ofertës për koalicion qeverisës, opozita nuk pranoi as propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për një president konsensual, duke përmendur Feride Rushitin si emrin e propozuar.
“Këtu kisha përmendur dy momente. Një, i gjithë viti i kaluar shkoi, ju e dini, nga drama në Kuvend për kryetarin e Kuvendit. Domethënë, kryetari i Kuvendit i takonte grupit më të madh parlamentar, kështu edhe u bë në fund, apo? Pse na humbën gjithë atë kohë për të dëshmuar që kryetari i Kuvendit prapë i takon grupit më të madh parlamentar? Humbje kohe, humbje kohe komplet. Ndërkohë që kishte ofertë edhe për koalicion qeverisës. Nuk donin as në koalicion qeverisës, shkuam në zgjedhje. Pra, kryetari i Kuvendit, që i takonte Lëvizjes Vetëvendosje, e vonuan me muaj, në fund për t’i takuar prapë Lëvizjes Vetëvendosje. Koalicion qeverisës për qeverisje të përbashkët refuzuan. Dhe në zgjedhje fituam shumë më shumë se sa më 28 dhjetor, fituam shumë më shumë se sa në shkurt. Pra, le që na humbën kohën me manovra në Kuvend, po humbën edhe zgjedhjet pastaj në fund. Çfarë është rezultati i kësaj? Në shkurt, nëse nuk gaboj, 14 shkurt ka qenë kur u krijua pastaj qeveria e re. Vetëm dy ditë pas, e kemi ratifikuar Planin e Rritjes, vetëm dy ditë pas. Kemi pasur Kuvend, kemi pasur Qeveri. Nga humbja e 28 dhjetorit, në momentin tjetër nuk e pranuan as propozimin për president konsensual… As nuk e pranuan propozimin tonë, për propozimin e tyre për president. Domethënë, as nuk e pranuan propozimin për president konsensual, zonjën e nderuar Feride Rushiti, por as nuk pranuan propozimin tonë për propozimet e tyre për president”, deklaroi ai për KosovaPress.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit më 27 qershor.
Nga këto zgjedhje, partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, me 47.13%, që ka fituar 53 ulëse. Partia Demokratike e Kosovës, me 19.44%, ka fituar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, me 16.69%, ka fituar 18 ulëse dhe Aleanca, me 6.74%, ka fituar shtatë ulëse.
Krahas konstituimit dhe formimit të qeverisë, deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë duhet edhe ta zgjedhin presidentin e ri, për të cilin ka afat 60 ditë prej momentit të konstituimit të Kuvendit.