Kandidati për Kryeministër nga rradhët e Vetëvendsojes thotë se 14 shkurti do jetë referendum.E ky referendum sipas tij do jetë që qytetarët të zgjedhin mes politikanëve të rinj e të vjetër, përcjellë Gazeta Blic.Ai shton se zhvillimi ekonomik u pamundësua nga korrupsioni i lartë e krimi i organizuar.
“Një marrëveshje mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila bazohet në vlera dhe parime, përveçse në fakte e interesa, do të kishte ndikim pozitiv në tërë rajonin, i cili së bashku duhet të përparojë drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike”, shkruan ai.Postimi i tij i plotë:
Mbrëmë mora pjesë në diskutimin e organizuar nga Instituti i njohur ndërkombëtar Wilson Center, me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nën moderimin e ekspertit të marrëdhënieve ndërkombëtare, drejtor i programit të Evropës në kuadër të Wilson Center, z. Daniel Hamilton, në diskutim u trajtuan temat aktuale të politikës së brendshme dhe të jashtme të Republikës së Kosovës.
Aty theksova që 14 shkurti do të jetë referendum, i cili do t’ua mundësojë qytetarëve të zgjedhin mes koniukturave të vjetra dhe politikanëve të një epoke të re, për t’u përballur me krizat e shumëfishta të cilat po e rëndojnë gjendjen e qytetarëve. Përmirësimi i situatës socio-ekonomike të vendit është i mundur vetëm nëpërmjet zhvillimit ekonomik, që varet edhe nga investimet e jashtme direkte, me theks tek ato nga diaspora e vendit tonë. Në 20 vitet e fundit, këto investime u pamundësuan nga korrupsioni i lartë e krimi i organizuar i elitës së vjetër. Prandaj, reforma në drejtësi dhe sundimi i ligjit janë parakushte për zhvillimin ekonomik. Pjesëmarrësit i njoftova se të gjitha këto hapa janë paraparë në Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e cila ndërtohet rreth dy kërkesave bazë të qytetarëve: Punë dhe Drejtësi.Me qindra pjesëmarrës të kësaj ngjarjeje, përgjithësisht ekspertë ndërkombëtar, ishin të interesuar të njihen me qendrimet tona në lidhje me raportet me vendet e rajonit, në veçanti për dialogun me Serbinë. Thashë se dialogu duhet të jetë një proces i cili bazohet në përmbajtjen e marrëveshjes, e jo në ngutinë për ta arritur atë. Dialogu nuk duhet të ndërtohet mbi harta dhe mbi harta nuk duhet të ketë presidentë rrotull si në të kaluarën. Parakusht për normalizimin e raporteve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë normalizimi i vetë vendeve nëpërmjet këtij procesi. Serbia nuk është një vend demokratik, ajo refuzon të ballafaqohet me të kaluarën, prandaj ky proces dialogues i ndërmjetësuar nga BE dhe ShBA, së pari do të duhej ta normalizonte Serbinë. Synim përfundimtar i këtij procesi do të duhej të ishte përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe jo kompensimi i Serbisë për humbjet që i pësoi regjimi gjenocidal i Milosheviqit në vitet e ’90-ta.Një marrëveshje mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila bazohet në vlera dhe parime, përveçse në fakte e interesa, do të kishte ndikim pozitiv në tërë rajonin, i cili së bashku duhet të përparojë drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike. Procesi i integrimit mund të përshpejtohet me një bashkëpunim më intensiv të vendeve të rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit që duhet avancuar nga një “Plan Marshal” për Ballkanin Perëndimor, që do të ndihmonte në demokratizimin e vendeve, zhvillimin e ekonomive të tyre dhe bashkimin e qyteteve të ndara, të cilat mbesin si plagë të hapura në disa vende të Ballkanit.Në fund të këtij diskutimi të frytshëm, të cilin mund ta shikoni në faqen e Institutit Wilson Center (https://www.youtube.com/watch?v=2UtUcumvO0M), z. Hamilton uroi fat për të gjithë kandidatët dhe shprehi gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm në të ardhmen.