Ministrja në detyrë, Meliza Haradinaj-Stublla, është akuzuar nga bashkëpartiakja e saj se ka ndikuar në ndryshimin e numrit të votave të saj.
Florentina Gjergjaj, e cila ka kandiduar për deputete në listën e AAK-së menjëherë pas publikimit të rezultateve përfundimtare, është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ajo ka kërkuar nga PZAP-ja që të rinumërojë votat e saj edhe të Haradinajt.
Ajo ka ngritur dyshimin se kandidates tjetër nga AAK-ja, Meliza Haradinaj, në mënyrë artificiale i është rritur numri i votave që ka marrë.
“…është e pabesueshme si fakti se vetëm njëri nga kandidatët në listën e AAK-së të ndryshojë pozicion të vazhdueshëm gjatë numrit duke pasur parasysh se AAK në vota me kusht dhe me postë përafërsisht ka fituar 300 vota në total, ndërsa të njëjtës (Meliza Haradinaj-Stubllës) i shtohen 709 nga këto vota të numëruara, që i bie përafërsisht 1/3 e votave me kusht dhe afërsisht sa ¼ e votave të fituara në rezultatet preliminare të datës 26.02.2021, ora 14”, thuhet në ankesë.
Në ankesë Florentina Gjergjaj i kërkon PZAP-së që të marrë parasysh edhe ndikimin që Haradinaj mund të ketë si ministre në detyrë që është.
“Gjatë shqyrtimit të ankesës duhet pasur parasysh faktin se kandidatja Meliza Haradinaj-Stublla është ministre në detyrë dhe ndikimi i saj tek personat përgjegjës është i mundshëm dhe real, pasi është e pamundur dhe jo i besueshëm fakti se asnjëri nga kandidatët e listës së AAK-së nuk kanë ndërruar renditje në listë, përjashtimisht kandidatja Meliza Haradinaj-Stublla”.
Ankesës së saj Florentina Gjergjaj ia ka bashkangjitur edhe tabelat me ndryshimet që ka pësuar numri i votave brenda një jave.
Lidhur me ankesën e Gjergjajt, KOHA ka provuar të kontaktojë me Haradinajn, por nuk ka arritur të marrë ndonjë përgjigje. E përmes një statusi në Facebook ajo ka paralajmëruar padi ndaj Gjergjajt.
Ministrja në detyrë, Meliza Haradinaj, është e fundit në listën e AAK-së që ka siguruar ulëse, me 4 mijë e 424 vota, duke lënë kështu jashtë Kuvendit Albana Bytyqin, e cila ka 26 vota më pak se Florentina Gjergjaj, e cila ka 4 mijë e 315 vota, apo 109 vota më pak se Haradinaj.
Për pakënaqësi që lidhen me manipulim votash brenda partive është raportuar se ka pasur edhe në zgjedhjet e kaluara, por asnjëra nga to nuk është adresuar zyrtarisht.
Për rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit, përveç ankesës së kandidates së AAK-së, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë dorëzuar edhe 207 të tjera.
Në njoftimin e bërë të premten, PZAP-ja ka deklaruar se janë duke shqyrtuar ankesat e pranuara brenda afatit.
Një ditë më parë, të enjten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Për certifikimin e tyre KQZ-ja duhet të presë përfundimin e të gjithë procesit ankimor.