Osman Osmani ishte vetëm njëvjeçar kur familja e tij u zhvendos në Prizren nga fshati Mlik i Dragashit. Sot ai zotëron katër gjuhë. Përveç gjuhës amtare rome, flet edhe shqip, serbisht e turqisht. Ai beson se një ndër vlerat kryesore të kryeqytetit kulturor të Kosovës janë diversiteti dhe bashkëjetesa e komuniteteve e traditave të ndryshme. I larmishëm është edhe vetë rrëfimi jetësor i aktivistit 58-vjeçar. Triumfi e sfidat bashkëdyzohen kur Osmani nis të ndajë detaje për jetën e tij: një mision shumëvjeçar në shembjen e paragjykimeve dhe analfabetizmit.
“Deri diku në klasën e tretë nuk e kam ditur që nënën e kam analfabete. Ajo e ka pasur shprehi që gjithherë më ka pritur kur jam kthyer nga shkolla dhe pas drekës më ka pyetur çfarë kam detyra. Mendoja që ajo po e di se çfarë po kontrollon, por dikur në klasë të tretë e kuptova që nënën e kam analfabete”, thotë Osmani. E ëma e dinte se arsimimi është rruga e vetme për ta ndryshuar jetën dhe të ardhmen e të birit. Osmani u shkollua dhe me aktivizmin e tij vazhdon të trasojë rrugë edhe për të tjerët, duke i motivuar pjesëtarët e komunitetit rom, ashkali e egjiptian që të mos e braktisin shkollimin. Studimet për inxhinieri të tekstilit i kreu në Beograd. Pas studimeve do të punësohej në fabrikën “Printeks” ku më vonë u emërua drejtor teknik. Sot ai udhëheq organizatën joqeveritare “Nevo Koncepti” në Prizren.
Një koncept i ri mbi sfidat e vjetra
Në vitin 2003, kur fabrika u privatizua, Osman Osmani mbeti i papunë. Prej atëherë, jeta e tij mori një tjetër kthesë. Me një grup miqsh, që asokohe ishin aktiv në përmirësimin e pozitës së komunitetit rom në shoqëri, ai vendosi ta themelojë një organizatë.
“Në atë kohë kanë qenë disa aksione, organizata me të cilat pak a shumë kam bashkëpunuar dhe e pashë që ka mundësi të filloj të punoj diçka. Jo vetëm për ta siguruar ekzistencën, por ajo që mua qe 17 vjet do të jetë si rezultat, është ndryshimi te komuniteti”, thotë Osmani.
Në shqip, emri i organizatës do të thotë “koncepti i ri”. E kauzat me të cilat nëpërmjet programeve, kjo organizatë provon të bëjë ndryshime në shoqëri, janë të kamotshme. “Nevo Koncepti” është organizatë me përvojë në fushën e edukimit formal dhe joformal. Ka kontribuar në rritjen e numrit të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian të përfshirë në arsimin parafillor, fillor, të mesëm dhe universitar; zvogëlimin e braktisjes së shkollimit; ndërgjegjësimin e komuniteteve për rëndësinë e arsimit, edukimin shëndetësor dhe social, respektimin e të drejtave të fëmijëve, etj.
“Një gjë që e kam parë si nevojë të luftojë për të, ka qenë që të ngrihen kapacitetet e vetë komunitetit dhe të jetë vetë i aftë t’i luftojë të gjitha dukuritë negative. Ne jemi dëshmitarë që ka paragjykime, ka diskriminim, ka të gjitha ato dukuri negative të cilat në shoqëri ndikojnë në jetën normale të një qytetari, pavarësisht cilit komunitet i takon”, thotë Osmani.
Në bazë të statistikave në Prizren dhe fshatrat përreth jetojnë rreth 20 mijë banorë. Prej tyre, 2 mijë e 800 janë të regjistruar si romë, 1.500 si ashkalinj dhe 200 si egjiptianë. Osmani kujton se fëmijëria e tij në këtë qytet ka qenë goxha e mirë.
“Çdo kohë është e mirë për vete. Edhe ajo kohë nuk ka qenë ndoshta, populli ka qenë më i varfër, por disa vlera të cilat i afronin njerëzit, familjet, fëmijët, komunitetet kanë qenë ndryshe. Ka qenë një lloj harmonie. Nuk e di, dikush thotë që ka qenë harmoni e rrejshme, unë s’po them ashtu. Sepse si fëmijë kam luajtur futboll edhe me komunitetin serb, edhe shqiptar, turk, goran e të gjithë. Ka qenë njëfarë bashkëjetese e mirë, por në këtë kohë mundësitë janë më të mëdha”, thotë ai. Si aktivist i shoqërisë civile nga radhët e komunitetit rom, Osmani nga viti 2018 është anëtar i Komitetit për Komunitete të Kuvendit të Komunës së Prizrenit. Në këtë Komitet komunal ka qenë anëtar edhe prej vitit 2015 deri në vitin 2017. Gjithashtu, në nivel qendror dhe lokal, për afër më shumë se një dekadë ka marrë pjesë në hartimin e politikave publike për avancimin e të drejtave dhe pozitës së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Arsimimi – çështja kryesore
Aktivisti i dalluar i shoqërisë civile shumicën e kohës e kalon në zyrat e organizatës që udhëheq. Me stafin prej 11 vetash, “Nevo Koncepti” zhvillon projekte qysh prej 24 nëntorit të vitit 2014 kur nisi punën zyrtarisht. Sot e asaj dite, organizata punon në Komunën e Prizrenit, por edhe jashtë saj. Aktivitetet ndër vite janë shtrirë edhe në Suharekë, Gjakovë, Mamushë, Rahovec etj.
“Prej fillimit, organizata edhe pse në përbërjen e vet i ka të gjitha komunitetet që jetojnë në Komunën e Prizrenit, shqiptarët, romët, boshnjakët. Qysh herët e kemi menduar dhe jemi përqendruar në çështjen e arsimimit, sepse kemi menduar që nëse ndihmojmë fëmijët e komunitetit rom në zbatimin e të drejtave të tyre -që është arsimimi një prej çështjeve kryesore – do t’i ndihmojmë ndryshimit të përfshirjes së familjeve dhe fëmijëve, apo edhe krijimin e një pozite të re të gjithë këtij komuniteti në shoqëri këtu ku jetojnë, por në përgjithësi edhe në Kosovë”, shpjegon Osmani. Organizata bashkëpunon ngushtë me shkollat e drejtoritë e arsimit të komunave përkatëse. Prej vitit 2015 në fokus të “Nevo Konceptit” ka qenë edhe çështja e familjeve të riatdhesuara. Pas fluksit të migrimit të vitit 2014, një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të komunitetit rom u largua nga Prizreni dhe kur disa prej tyre u kthyen sërish, një ndër sfidat kryesore ishte përfshirja e fëmijëve të tyre në sistemin e rregullt arsimor. Ani pse ka pasur dokumente, udhëzime administrative që lehtësojnë procesin e kthimit të fëmijëve në shkollë, në Prizren rreth 40 për qind e fëmijëve të këtij komuniteti kanë mbetur jashtë sistemit shkollor.
“Kjo ka qenë një iniciativë kryesore që anëtarët e ‘Nevo Konceptit’ kanë provuar të përqendrohen edhe te ky grup i fëmijëve që janë kthyer, të mos i lëmë jashtë bankave shkollore”, thotë Osmani. Organizata ka fasilituar në kthimin e nxënësve në bankat shkollore, duke bashkëpunuar me Zyrën e Komuniteteve në Komunën e Prizrenit”, shpjegon Osmani.
Ai dhe stafi i organizatës vazhdojnë t’i vizitojnë këto familje dhe kërkojnë nga prindërit që fëmijët t’i kthejnë në bankat shkollore. Ata fasilitojnë në kompletimin e dokumenteve të nevojshme për inkuadrim në sistemin shkollor.
“Në kuadër të disa shkollave në Prizren dhe Suharekë realizojnë mësimin shtesë. Duke pasur parasysh që Ministria e Arsimit e ka aprovuar një dokument që ka të bëjë me punën e qendrave mësimore, duke ofruar mundësi të kryejnë detyrat, të mësojnë, të marrin ndihmë nga arsimtarët e tutorët. Tutorët janë studentë të komunitetit, ndihmojnë fëmijët dhe njëherësh krijojnë përvojë”, shpjegon ai.
Organizata me bazë në komunitet
Vizioni i organizatës që drejton Osmani është që komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian të jenë të integruara në të gjitha sferat e jetës dhe kontribuese të barabarta në zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë. Misioni i tyre është angazhimi për përmirësimin e gjendjes së këtyre tri komuniteteve në fushën e arsimit dhe në fushat e tjera, që ndikojnë në mirëqenien e përgjithshme të tyre. Për ta matur suksesin e avokimit të organizatës, Osmani bën krahasime të statistikave. Rezultatet thotë se janë optimiste dhe japin shpresë që po ndodh ndryshimi. Në vitin 2003, kur ai nisi aktivizmin në luftën kundër analfabetizmit, në Komunën e Prizrenit, në edukim parafillor nuk kishte pasur asnjë fëmijë të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian.
“Në 2020-n, 60 deri në 70 përqind të fëmijëve janë të inkuadruar në shkolla, sepse vetë si organizatë kemi avokuar në këtë drejtim dhe në shumë shkolla të Komunës së Prizrenit kemi hapur klasat e mësimit parafillor. Kemi mbështetur edhe edukatoret të cilat në fund kanë përfunduar në listat e pagave të Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prizrenit. Në këtë drejtim ka ndryshim pozitiv edhe pse ka ende hapësirë për ndryshim”, thotë ai. Në shkollimin e mesëm, në vitin 2003 ishin të inkuadruar 11 nxënës, ndërsa tani janë 150 pjesëtarë të tri komuniteteve pakicë. E në nivelin e lart të studimeve, asokohe ishte vetëm një pjesëtar i komunitetit rom që ndoqi shkollimin në Turqi, krahasuar me vitin 2020 kur 100 pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian vijojnë studimet në universitetet publike dhe private.
“Nuk është ndryshimi i dëshiruar, por vërtet ka ndryshim që të jep një optimizëm që po ndryshon niveli i arsimimit te komuniteti, po krijohen gjenerata të arsimuara dhe të përgatitura për tregun e punës”, thotë Osmani.
“E vetmja sfidë në këtë moment është pandemia, që po krijon vështirësi sidomos në nivelin shkollor, sepse po ndikon keq te qasja e fëmijëve në arsimin duke pasur parasysh gjendjen socio-ekonomike të këtyre tri komuniteteve sidomos në vende rurale, që kanë më pak qasje në këtë mënyrë arsimimi, në mungesë të pajisjeve”, shton ai.
Tash një vit, organizata është fokusuar edhe në çështjen e punësimit, duke realizuar projekte që shtrihen në tri fusha: regjistrimi i të rinjve në zyrat e punësimit, aftësimi i tyre në qendra rajonale të aftësimit profesional dhe subvencionimi i atyre që duan vetëpunësim apo e kanë një biznes që duan ta ngrenë kapacitetet. Deri më tani 9 familje janë mbështetur me këto grante. Mes tyre edhe familja Halabaku, që siguron jetesën nga biznesi ku babë e bir ushtrojnë zanatin e farkëtarit.
Një tjetër fushë ku Osmani vazhdon ta japë kontributin e tij janë të drejtat e fëmijëve nëpërmjet aktiviteteve që kanë për qëllim të ngrenë vetëdije dhe t’i përgatitin brezat e rinj për avokim dhe kërkimin e të drejtave të tyre.
Partnerët që i kanë qëndruar pranë drejtorit të “Nevo Konceptit” nuk kursejnë fjalët e mira për punën që është bërë.
Arben Shala, nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur – KFOS, thotë se Osman Osmani me organizatën e tij ka bërë punë të shkëlqyer duke mobilizuar komunitetin që përfaqëson.
“Është organizatë me bazë në komunitet, që është shumë me rëndësi sepse dallon prej organizatave tjera joqeveritare meqë në Kosovë ka pak organizata të tilla që ne i quajmë me bazë në komunitet. Dhe për shkak të punës së mirë që e bëjnë i kemi përkrahur si në fillim. Edhe ne si KFOS me programet duam të arrijmë ndryshim në shoqëri, sidomos në komunitetet rom, ashkali, egjiptian, e të gjitha komunitetet që janë duke jetuar në margjinë”, thotë Shala.
Bashkëpunim të ngushtë, Osmani dhe organizata e tij gjatë këtyre viteve ka pasur edhe me Komunën e Prizrenit.
Islam Elshani, zyrtar për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Prizrenit, njëherësh anëtar i bordit të organizatës, thotë se të gjitha aktivitetet janë bërë në koordinim me institucionet.
“Kjo organizatë e ka dëshmuar veten sa i përket punës me komunitetet, në këtë rast rom, ashkali, egjiptian dhe që nga viti 2014 prejse është themeluar organizata, kam nderin që jam anëtar i bordit, dhe gjithmonë e ka dëshmuar veten me përkushtimin, punën e vetë, angazhimin si organizatë komplet stafi e kanë dëshmuar veten që janë një ndër më seriozet në Komunën e Prizrenit, por edhe në nivel të Kosovës që vjen nga radhët e komunitetit rom, ashkali, egjiptian”, ka thënë ai. Puna dhe sukseset e kësaj organizate janë të lidhura ngushtë me emrin e njeriut që e themeloi.
Jetëshkrimi i Osman Osmanit është një histori inspiruese në luftën për shembjen e analfabetizmit. Këtë mision thotë se do ta vazhdojë gjithë jetën.
(Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Human Rightivism” që implementohet nga Integra dhe mbështetet nga CDF dhe Ambasada Suedeze në Kosovë.)