Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit S.H., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili gjendet në paraburgim nga data 30.08.2024, pas ekstradimit nga Mbretëria e Bashkuar, për shkak të dyshimit të bazuar mirë, se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 179 par. 1 nën par. 1.4 lidhur me nenin 31 të KP-së, njofton përmes një komunikate Zyra për Komunikim Publik në ZKPSH pranë Prokurorisë Themelore në Prizren.
Sipas aktakuzës, me datë 04.06.2013 në periudhën kohore prej orës 03:23 minuta dhe 06:47 minuta, në Prizren, me dashje privon nga jeta në mënyrë mizore dhe tinzare nga motivet e ulëta së bashku me tani të dënuarin S.K., – viktimën I.K., në atë mënyrë që së bashku me S.K., nga Shkodra-Republika e Shqipërisë, vjen për të vizituar I.K., e cila ishte duke punuar si këngëtare-valltare në Mitrovicë në lokalin “Sh.”, pronë e M.S., me ç’rast takohen në Prizren, ku qëndrojnë në shtëpinë e F.R., ku ajo ka banuar më herët.





