Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj D.D., i cili ndodhet në paraburgim që nga 18 marsi i këtij viti, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, e cila ka rezultuar me vdekjen e një këmbësori.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 18 mars 2026 në rrugën “Wesley Clark” në Prizren. Sipas aktakuzës, i pandehuri kishte drejtuar automjetin me shpejtësi prej 75 kilometra në orë në një segment rrugor ku kufizimi i lejuar ishte 40 kilometra në orë.
Prokuroria pretendon se, duke mos e përshtatur shpejtësinë me kushtet dhe rregullat e trafikut, veçanërisht në afërsi të shtegut të këmbësorëve pranë rrethrrotullimit, ai nuk ka arritur ta vërejë me kohë këmbësorin I.O., i cili po kalonte në vendkalimin për këmbësorë.
Si pasojë e përplasjes, këmbësori ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe ka ndërruar jetë. Sipas raportit të autopsisë, vdekja ka ardhur si rezultat i lëndimeve të shkaktuara nga aksidenti në trafik.
Prokurori i çështjes ka kërkuar nga gjykata që, pas zhvillimit të procedurës gjyqësore dhe vlerësimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.