Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit serb, D.M., i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë.
Sipas aktakuzës të publikuar të martën, ai ishte gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit gjatë luftës në Kosovë, e me zyrtarë të tjerë të burgjeve, ka maltretuar të burgosur shqiptarë.
Maltretimi konsiderohet se është kryer në mënyrë çnjerëzore “me mjete të ndryshme”.
“Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri D.M. ish gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve, duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, përkatësisht konfliktit të armatosur, gjatë gjithë kësaj periudhe kohore në mënyrë sistematike i kishin malltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç ‘njerëzore me mjete të ndryshme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Ndaj tij janë iniciuar veprat penale “krim lufte kundër popullatës civile” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.