LAJME

Aksioni i Policisë dhe AKI-së rezulton me 4 të arrestuar, reagon ministri në detyrë Xhelal Sveçla

Aksioni i Policisë dhe AKI-së rezulton me 4 të arrestuar, reagon ministri në detyrë Xhelal Sveçla
TV Prizreni
TV Prizreni
22 Korrik 2026, 19:16

Policia e Kosovës ka realizuar një aksion të përbashkët me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave: dy zyrtareve të Divizionit për të Huaj, një të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetasi të huaj.

Xhelal Sveçla, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, e ka mirëpritur këtë aksion të Policisë dhe AKI-së, duke njoftuar se për të arrestuarit ekziston dyshimi se në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare e ndërmjetësuese dhe me qëllim të përfitimit financiar, kanë kryer shërbime ndaj palëve duke anashkaluar procedurat ligjore.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj parimeve të integritetit, ligjshmërisë dhe llogaridhënies së çdo zyrtari publik. Çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, korrupsion apo cenim të besimit të qytetarëve do të trajtohet me seriozitet të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përgjegjëse të sigurisë dhe drejtësisë.” – ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sipas ministrit, luftimi i korrupsionit dhe garantimi i integritetit institucional janë parakushte thelbësore për ofrimin e shërbimeve të drejta, efikase dhe transparente për qytetarët.

“Askush nuk do të lejohet të përdorë pozitën zyrtare për përfitime personale në dëm të interesit publik dhe të drejtave të qytetarëve për trajtim të barabartë para institucioneve.” – ka theksuar ai.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika