Aktivistët e grupit “Asnjë Cent ma Shumë” kanë organizuar sonte një aksion simbolik para objektit të Ministrisë së Ekonomisë, në shenjë kundërshtimi ndaj rritjes së paralajmëruar të tarifave të energjisë elektrike.
Në këtë aksion, protestuesit vendosën qirinj si simbol i pakënaqësisë së qytetarëve ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili pritet të hyjë në fuqi që nga nesër.
Kjo nuk është hera e parë që grupi reagon ndaj kësaj çështjeje.
Më 5 prill, ata organizuan një protestë në Prishtinë, duke kërkuar që të mos miratohet rritja e çmimit të energjisë elektrike.
Me parulla si “Shteti hesht, qytetarët s’ndalen”, “Tarifat e reja, padrejtësi e re” dhe “S’ka dritë me padrejtësi”, qytetarët kanë shprehur shqetësimin për ndikimin ekonomik të vendimit.
Kërkesa për shtrenjtimin e energjisë ka ardhur nga kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë, të cilat kanë propozuar rritje prej 15 për qind.
Aktualisht, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë në muaj, paguajnë 7.79 centë për kilovat gjatë ditës. Në rast të aprovimit të kërkesës, kjo shumë do të rritet në 8.96 centë.
ZRRE-ja, e cila cakton tarifat çdo vit, pritet të marrë vendimin përfundimtar më 11 prill. Tarifat e reja mund të hyjnë në fuqi retroaktivisht nga 1 prilli ose nga 1 maji.
Sipas ZRRE-së, rritja e tarifave është e pashmangshme për shkak të disa faktorëve, përfshirë uljen e prodhimit të energjisë, rritjen e konsumit dhe varësinë nga importet me çmime të larta.
Kosova vazhdon të përballet me sfida në sektorin energjetik për shkak të infrastrukturës së vjetruar, përfshirë termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, si dhe sasisë së kufizuar të energjisë së gjelbër./Telegrafi/