Prokuroria e Prizrenit ka njoftuar se sot, më 24.03.2026, në bashkëpunim edhe me Policinë, në Suharekë kanë sekuestruar 2 kilogramë substancë narkotike që dyshohet se është heroinë.
Sipas njoftimit, gjatë operacionit janë aplikuar masa të veçanta hetimore dhe se ka pasur infiltrim brenda grupit.
Prokuroria njofton se gjatë zbatimit të urdhër-kontrolleve në lokacione të ndryshme, janë gjetur dhe sekuestruar një numër i konsiderueshëm armësh dhe municioni, përfshirë katër (4) pistoleta, një (1) pushkë gjuetie, dy (2) karikatorë të pistoletave dhe 544 fishekë të kalibrave të ndryshëm, të cilat mbaheshin në kundërshtim me ligjin përkatës për armët.
Po ashtu janë sekuestruar para të gatshme, telefona, dy vetura të markave “Mercedes GLE” dhe “Land Rover”, të cilat janë përdorur për takime dhe shkëmbim të substancave narkotike, si dhe prova të tjera materiale që lidhen me veprat penale të lartcekura.
Lidhur me këto veprime, Prokuroria ka iniciuar procedurë penale ndaj tre të pandehurve R.B., A.R., dhe B.B., për veprat penale që ndërlidhen me narkotikë si dhe për armëmbajtje pa leje. Të njëjtit gjenden në ndalim 48-orësh dhe për të njëjtit Prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.