LAJME

Aksidenti tragjik u mori jetën dy motrave nga Kosova: Policia gjermane jep detaje

Aksidenti tragjik u mori jetën dy motrave nga Kosova: Policia gjermane jep detaje
TV Prizreni
TV Prizreni
22 Qershor 2026, 07:30

Një tragjedi e rëndë ka goditur fshatin e Topanicës së Kamenicës, pasi dy vajza të reja, E.Zubaku 24 -vjeçare, dhe A.Zubaku 18-vjeçare, humbën jetën në një aksident fatal në autostradën A5 në Gjermani.

Policia gjermane ka dhënë detaje rreth përplasjes fatale në autostradën A5.

Autoritetet  gjermane bëjnë të ditur se dy aksidente u raportuan në të njëjtin vend, ku aksidenti i parë ndodhi pak pas orës 11:30 pranë zonës së pushimit Renchtal.

Pengesat e krijuara nga aksidenti i parë detyruan drejtuesit e automjeteve që po lëviznin pas tyre të frenonin papritur. Si pasojë, pranë nyjës së Appenweierit ndodhi një aksident tjetër i rëndë, ku u përfshinë pesë automjete, ka bërë të ditur policia gjermane.

Autoritetet bëjnë të ditur se katër nga pesë automjetet e përfshira nuk patën të lënduar, por dy vajzat që udhëtonin në një automjet tip Smart humbën jetën në vendngjarje për shkak të plagëve të rënda.

Për shkak të operacioneve të shpëtimit, hetimeve dhe pastrimit të rrugës, drejtimi verior i autostradës A5 u mbyll për disa orë. Më vonë, policia njoftoi se të gjitha veprimet në vendngjarje kanë përfunduar dhe qarkullimi është rikthyer në normalitet.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidenteve janë në vazhdim, ndërsa dëmi material paraprak vlerësohet të jetë mbi 100 mijë euro./Klankosova

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika