Tre anëtarë të një familjeje kanë vdekur si pasojë e një aksidenti i rëndë trafiku mes dy automjeteve, njëra prej tyre veturë zyrtare e policisë.
Në aksidentin që ndodhi dje rreth orës 19:00 në fshatin Çubrel të Skenderajt, të lënduar mbetën edhe pesë persona të tjerë, mes tyre katër zyrtarë policorë.
Lidhur me këtë aksident është ndaluar një zyrtar policor, ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, transmeton albinfo.ch.
“Lidhur me pyetjen tuaj, njoftoheni se në aksident kanë qenë të përfshira dy vetura, një veturë zyrtare e policisë dhe një veturë civile. Si pasojë e aksidentit, tre persona që kanë qenë në veturë civile kanë ndërruar jetë, dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupat e tyre janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Për këtë rast, është ndaluar një person me vendim të prokurorit për 48 orë, për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik – me fatalitet”, ka thënë Preteni.